Mbaron mbrojtja e të arrestuarve, ja çfarë tha para gjykatës Henri Çili

Ka mbaruar mbrojtja e të arrestuarve para Gjykatës së Përmetit, mes të cilëve edhe botuesi dhe gazetari Henri Çili. Tërhiqet gjyqtari për vendimin.

Gjatë seancës ka folur vetë Çili, i cili ka pranuar përgjimet me argumentin se ai ka një studio ligjore që ia legjitimon ndërmjetësimin dhe biseda të kësaj natyre janë brenda profilit të punës së kësaj studioje ligjore.

Sipas tij, ngjarja e fundit do të jetë një shtysë për forcimin e masave të mëtejshme në mënyrën e funksionimit të studios së tij. 

Nga ana tjetër avokatë të pranishëm në seancë pohuan se çështjet mbi të cilat janë ngritur akuzat për.të arrestuarit nuk kanë lidhje me njëra - tjetrën dhe nuk duhej të ishin brenda të njëjtit procedim. Sipas tyre, ata duhej të ndaheshin në të paktën në tre grupe.

Ndërkohë trupi gjykues është ndarë për të marrë vendim, ndërsa tani pritet masa e sigurisë që ajo do të vendosë mbi Henri Çilin.

Gjatë operacionit të koduar "Mezhograni" u ndaluan 31 persona. Sipas prokurorisë, hetimet për këtë çështje kanë nisur rreth 5 muaj më parë.

Akuzat që rëndojnë mbi Henri Çilin janë:

“Fshehja e të ardhurave”,

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,

“Falsifikimi i dokumenteve”,

“Mashtrim”,

“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike”

“Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim. /A.R, Syri.net