Premierligë/ VAR-i shpëton Manchester United nga humbja, dështon Tottenhami i Mourinhos

Manchester United nuk arrin të përfitojë nga barazimi 2-2 i Chelsea-t në fushën e Bournemouthit.

“Djajtë e Kuq” barazuan 1-1 në “Goodison Park” përballë Evertonit vendës në një sfidë që u mbyll me polemika për një gol që iu anulua skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti, në kohën shtesë, nga sistemi VAR, që e konsideroi në rrezen e portierit (jashtë loje) një futbollist të Evertonit në momentin e shënimit.

Një gabim trashanik i David De Geas i kushtoi shtrenjtë Manchester United në minutën e tretë.

Portieri spanjoll u vonua më shumë se ç’duhet në goditjen e topit e në këtë moment përfitoi Dominic Calvert-Lewin, që i zuri rrezen, me sferën që, pasi u përplas në trupin e sulmuesit të Evertonit, përfundoi në rrjetë.

Sapo kaloi gjysmë ore lojë, u rikthye ekuilibri në rezultat, sërish pas një pasigurie të portierit, këtë radhë të Pickfordit, që nuk ia doli të ndalte topin e goditur nga Bruno Fernandes nga distanca.

Në pjesën e dytë, sidomos në fundin e sfidës, pati momente dramatike në të dyja portat, por asgjë nuk ndryshoi, edhe për meritë të VAR-it, që “tërboi” Carlo Ancelottin, i cili u ndëshkua me karton të kuq nga kryesori për protesta për golin e anuluar.

Pëson një humbje të rëndë, në Londër, Tottenhami, që u mposht më përmbysje 2-3 (dhe u parakalua në renditje) nga Wolves. Pjesa e parë, në fakt, u mbyll 2-1 në favor të “Spurs”-ave me gola të Bergwijn dhe Aurier, mes të cilëve realizoi Doherty, por, çuditërisht, Wolves shënoi dy gola të tjerë në pjesën e dytë me Jotan dhe Jimenez, që shërbyen për të marrë një fitore të madhe dhe rritur pretendimet për zonën Champions (Chelsea 45 pikë) që është vetëm tri pikë larg.