Mentaliteti i nënshtrimit po na varfëron dhe shuan si komb

Nga Moza Boçari - 

Kolonializmi është dukuria e parë historike që krijoi lidhjen mbarëbotërore të njerëzimit, që dominon prej 500 vitesh historinë botërore, si asnjë dukuri tjetër.

Që nga shekulli i 15-të, evropianët eksploruan e pushtuan pjesët e tjera të botës duke i sunduar, shfrytëzuar dhe grabitur. Rezultati përfundimtar i këtyre përjekjeve ishte i egër dhe shkatërrues: gjenocid dhe plaçkitje njerëzore dhe materiale në përmasa të pashembullta.

56 milionë banorë të Amerikës, 90 për qind e popullsisë indigjene, vdiqën në vitiet 1800-të, kryesisht nga sëmundjet e sjella në tokat e tyre të përjetshme nga kolonizatorët.

Deri në fund të shekullit XIX, europianët kishin larguar nga vendet e tyre më shumë se dymbëdhjetë milionë afrikanë, të marrë si skllevër bashkë me pasuritë e tyre.

Vlera e të gjitha mallrave të rrëmbyera nga britanikët në Indi—ndër të tjera, përmes përmes taksimit jashtëzakonisht të popullsisë vendase, fitimit nga monopolet e paligjshme dhe vjedhjet—arrin shumën e paimagjinueshme prej $45 mijë miliardë (45 trilionë).

Në fund të sistemit kolonial, Europa veriperëndimore u kthye në një superfuqi industriale në kurriz të kulturave të tjera.

Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, të gjitha kolonitë u kthyen në shtete sovrane, por trashëgimia e kolonializmit vazhdon të funksionojë në mendjet e njerëzve, në strukturat e shteteve të reja, që janë te varura nga vendet e industrializuara.

Edhe pse ish-vendet koloniale afrikane fillimisht adoptuan kushtetuta demokratike, përballë problemeve ekonomike dhe dështimit të qeverive të reja të korruptuara, ato përfunduna në regjime një-partiake dhe diktatura.

Këto ndodhën nën tolerancën e heshtur të Uashingtonit dhe të fuqive dikur kolonizatore, që ishin të interesuara për diktatorët qëndrueshëm partnerë në Luftën e Ftohtë.

Një skenar i ngjashëm u përsërit pas rënies së regjimieve komuniste në fillim te viteve 1990-të. Qeveritë e reja postkomuniste patën në përbërje të tyre elitën komuniste, e cila vazhdoi të përdorë të njëjtin sistem të dominimit politik bazuar në përkatësinë e lidhjet partiake dhe rrjetet e lidhjeve personale e klanore, tashmë të fuqizuara nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Kolonitë e dikurshme u shërbyen fuqive perëndimore si furnitorë të lëndës së parë dhe fuqisë së lirë punëtore për industritë e tyre, si baza gjeo-strategjike e baza për mbrojtje ushtarake, si dhe vendshkarkime “të tepricave“ të popullsisë.

A nuk i shërbejnë për të njejtën gjë sot BE-së vendet e Europes Lindore dhe Ballkanit?

Industria e zhvilluar e BE-së furnizohet me lëndë të parë dhe fuqi punetore nga vëndet lindore dhe ato në zhvillim. Produktet e prodhuara nga kjo industri eksportohen dhe shiten në vendet e origjinës së lëndës së parë dhe punës me disa fishin e kostos së prodhimit, duke detyruar popullsinë e këtyre vendeve te punoje per te mbijetuar.

Për shembull, Bullgaria dhe Rumania janë anetare në BE prej vitit 2007. Ndërsa rroga mesatare bruto në Gjermani e Francë është €3500–€4000, në Rumani është €290-€960, në Bullgari €400 Euro.

Në këtë sfond, diskutimet shumëvjeçare dhe dëshira naive e shqiptarit për t’u anëtarësuar në BE më kujtojnë përrallën e Hansit dhe Gretës.

Prindërit e varfër i braktisën 2 fëmijët e tyre, Hansin dhe Gretën, në mes të një pylli sepse nuk i ushqenin dot. Femijëve të humbur në pyll u erdhi në ndihmë dhe u tregoi rrugën një zog i bardhë. Duke ndjekur zogun, fëmijët arritën përpara një shtëpie me mure prej buke, dritare prej sheqeri dhe me çati prej torte. Kjo shtëpi i joshi fëmijët e uritur, që pasi hëngrën çka kish përjashta u futën brenda. Aty gjetën një tryezë të mbushur plot dhe një shtrat, në të cilin u shtrinë për të fjetur pasi ngopën mirë e mirë.

Ata besuan se ishin në parajsë, por, në të vërtetë, ajo ishte shtepia e një shtrige magjistare, e cila e kishte ndërtuar shtëpinë për të tërhequr fëmijët qe i gatuante dhe i hante. Ajo e mbylli Hansin më kafaz dhe urdhëroi Gretën të ushqente vëllain e saj, të cilin e peshonte çdo mëngjes për të parë nëse ishte shëndoshur mjaftueshëm për ta ngrënë. (Përralla mbaron me Gretën dhe Hansin që e kuptuan planin e shtrigës dhe shpëtuan prej saj.)

Këtë përrallë-fabul duket se kemi jetuar në vendin tonë këto 30 vite në lidhje me qendrimet apo pritshëmritë ndaj botës.

Vitet 1990-të filluan me hapjen e ambasadave në korrik 1990—mbi 5 mijë shqiptarë u arratisën për në Eldorado pak muaj para rëniës se komunzimit. Peshqeshet e vogla që ata filluan t‘u dërgonin menjëherë familjeve e kalonin rrogën e një profesori dhe u bënë burimi i parë i pabarazisë dhe korrupsionit.

Të dalë nga diktatura e egër 50 vjeçare, fëmijët jetime të braktisur në mes të pyllit të „demokracisë“ zbuluan shtëpinë prej sheqeri të korruptimit moral e material. Populli dritëshkurtër, i etur dhe i pangopur, injoroi faktin se në krye të kopesë u vu përsëri elita komuniste, e etur për karrierë dhe pasuri.

U shkatërrua çdo infrastrukturë dhe kapacitet prodhues, ndërsa fshati, që deri në atë kohë kish rrethuar qytetin, pushtoi qytetin duke importuar edhe mentalitetin se çfarë është e tjetrit është edhe e jotja.

Si „ndërtim“ dhe zhvillim u shit shkatërrimi i natyrës, pushtimi pa kriter i hapësirave dhe betonizimi pa plan urban i qyteteve. Kudo filloi vjedhja masive dhe tjetërsimi i pronës së konfiskuar nga regjimi komunsit në 47 vjet.

Krimi dhe korrupsioni u bënë karburanti i vetëm i ekonomisë dhe politikës. Ndërkohë shqiptarët nisën masive nga vendi i tyre, duke lënë mbrapa më pak krahë pune dhe më pak tru.

Me pasurimin e shpejtë dhe kriminal, u vra çdo vlerë morale, duke plotësuar kështu kaosin e plotë politik, ekonomik, shoqëror e moral të vendit.

Të huajt fillimisht i mbështetën shqiptarët me ndihma humanitare. Ndërsa Shqipëria degradoi në keqqeverisje dhe autokraci, ata nuk nguruan të financojnë me hua qeveritë e korruptuara shqiptare dhe të mbështesin autokratët e shkëlqyer, duke mos kërkuar asnjëherë llogari se ku shkonin këto para.

Kjo histori po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ashtu si shtriga ushqente Hansin për ta shëndoshur, kështu të huajt po i japin borxhe pa fund një qeverie që vetë e quajnë të korruptuar.

Tashmë që Shqipëria  ka humbur dritën e së ardhmes dhe  magjistarja ka vendosur të thithë gjakun e Hansit, pjesën më të shtrenjtë që i duhet një kombi për të jetuar, fuqinë punëtore të shkolluar dhe kualifikaur. Gjaku që duhej për të ushqyer Shqipërinë do të ushqejë tani direkt vendet e zhvilluara duke futur në lengatë kombin shqiptar.

Për të kuptuar çfarë pasurie e përvetësuar është përthithja e fuqisë së kualifikuar mjafton si ilsutrim një statistikë nga Gjermania.

Zyra Federale e Statistikave në Gjermani publikon rregullisht shpenzimet e konsumatorit nga familjet me fëmijë.  Shpenzimet mesatare të prindërve për rritjen e një fëmije 0 deri 18-vjeç jane rreth 130 mijë euro. Kësaj shume i shtohen edhe rreth 7 mijë euro shpenzime për çdo vit nëse fëmija ndjek shkollën e lartë.

Nga ana tjetër, shteti gjerman përballon një pjesë të kësaj kostoje, si dhe shpenzime të tjera për rritjen e fëmijëve. Kështu shteti ofron lehtësitë e mëposhtme:

— Nënat shtatzanë paguhen para dhe pas lindjes, për 6 javë me rrogën e plotë mujore.

— Pas lindjes nënat paguhen per 28 muaj me 63 për qind të rrogës së plotë.

— Shteti paguan çdo muaj €200 nga lindja deri në moshën 18 vjeç—deri në moshën 25 vjeç, kur ata studjojnë. Pranë total, për çdo fëmijë që përfundon arsimin e mesëm shteti shpenzon rreth €41 904  dhe nese kryen studime të larta ose mëson një profesion rreth €55000.

— Shteti paguan per shkollat publike ku shkollohen thuajse të gjithë fëmijët gjermanë rreth 8900 Euro në vit për çdo nxënës.

— Shkollimi i një studenti të mjeksisë i kushton shtetit gjerman 31 690 € në vit,  pra  190 000 € në toal për të gjashtë vitet e studimit në mjekësi.

— Familjeve ju ofrohet lehtësim nga taksat në masën rreth 7 248 € në vit për çdo femijë.

Për ta përmbledhur, kostoja për rritjen dhe shkollimin e një fëmije deri në moshën 18 vjeçare është afërsisht, €180 mijë të atij me arsim të lartë rreth €250 mijë duke arritur maksimumin për të diplomuairt në mjekësi rreth €390 000 në total.

Kjo do të thtoë se duke punësuar një mjek të përgatitur në Shqipëri shteti gjerman kursen €390 000, ndërsa për 100 mjekë kursen €39 milionë. E thënë ndryshe €110 milionë që BE-ja i dhuroi Shqipërisë për tërmetin, Shqipëria ja ka parapapaguar vetëm me 260 mjekë nga mijëra të tillë që kanë emigruar kryesisht në Gjermani, por edhe në vende të tjera të BE-së.

Për të plotësuar këtë vlerësim financiar do të duhet të llogarisim edhe koston për Shqipërinë nga humbja e investimit për një fëmijë deri sa ai diplomohet si mjek. Nuk gjeta të dhëna të tilla por po marr me përafërsi se kostoja është afrësisht sa gjysma e kostos në Gjermani, rreth €200 mijë duke llogaritur ketu, shpenzimet e prindit, investimet ne kopshte, shkolla, universitete, pagat e mesueve, infrastrukturen etc.

Pra, mund të themi se një mjek shqiptar që emigron dhe punësohet në Gjermani merr me vehte €200 mijë investime të familjes dhe shtetit  dhe i kursen Gjermanise €390 000, pa përmendur këtu dëmin që i shkaktohet popullsisë  taksapaguese në Shqipërisë mungesa e shërbimit shëndetësor,  si pasojë e mungesës së mjekëve, pasi një mjek që largohet zëvendësohet vetëm  të paktën pas 8 vjetësh—pesë vjet shkollë dhe tre vjet specializim.

I kam shkruar këto mendime jo për të ndaluar migracionin e fuqisë punëtore, jo për të kërkuar nga politika ndërkombëtare pagesë për gjakun që po i merr një vendi në zhvillim, por thjesht për të ngritur ndërgjegjen kombëtare, për njerëzit që e shikojnë faktorin ndërkombëtar si shpëtimtar.

Historia botërore është histori luftrash për hir të kapitalit. Për kapital i forti shfrytëzon të dobtin. Ne kemi qënë dhe jemi historikisht të dobët, për shkak të vetëdijes së pazhvilluar që kemi ndaj vlerave tona dhe përulësisë që kemi ndaj të huajit. Shqipërinë mund ta shpëtojë vetëm shqiptari atdhetar, që do veten, fëmijën dhe kombin e tij. 

/Exit.al