Rama për Metën: Degradim i madh debati 'besëlidhja apo besëlikja'

Teksa mbajti një fjalim përpara të rinjve të FRESH në ditën e tretë të Kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama thumboi edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Në sheshin “Nënë Tereza”, Rama tha se mjafton të dëgjosh “këtë që keni mbrapa ju për të kuptuar se deri ku shkon në Shqipëri liria për t’ia futur kot dhe askush nuk të thotë gjë”.

Para Presidencës, ku po zhvillohet dita e tretë e Kongresit të Partisë Socialiste, me në fokus të rinjtë, Rama tha se është degradim i madh debati 'besëlidhja apo besëlikja'.

“Nuk është debati Besëlidhja dhe Beslikja, që ka marrë vëmendje. Kush është me Besëlidhjen, kush është me Besëliken, pa kuptim, humbje kohe, degradim i madh dhe goditje e shpresës se në këtë vend mund të jetohet normalisht dhe se ky vend nuk është peng i atyre që shfaqen në TV sikur janë ata dhe pas tyre s’ka gjë tjetër. Mjafton të dëgjosh këtë që keni mbrapa, për të kuptuar deri ku shkon çmenduria. Mjafton të hapësh TV dhe larg qoftë të shohësh ndonjë debat, për të parë deri ku shkon gjuha dhe çfarë lirie për të shthurur gjuhën kanë njerëzit këtu. Por kjo nuk është liri demokratike e jetës, pasi këtë e përcakton fakti sa dëgjohesh dhe sa ndërveprim ka”, tha Rama.

Në ditën e tretë të Kongresit të PS, organizatorët e tij i kishin menduar një hapësirë komunikimi me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Socialiste ose siç njihet ndryshe FRESSH.

Kryeministri dhe kreu i socialistëve Edi Rama gjatë fjalimit të tij përpara të anëtarëve më të vegjël të partisë së tij tha se tashmë ka ardhur koha që edhe ky forum të ndryshojë. Sipas Ramës, FRESSH nuk mund të jetë më ai i kohëve kur u krijua, por duhet të përshtatet me sfidat dhe mundësitë e kohës.

“Çuarja përpara e organizatës së të rinjve duhet të lidhet me transformimin e modelit të organizatës me kushtet që jetojmë. FRESSH nuk mund të jetë më ai që ishte kur u krijuar. Ndryshimet janë të mëdha në jetën e të rinjve. Teknologjia e ka transformuar kaq shumë raportin e personit me realitetin dhe e ka shpërbërë idenë e kufijve të vegjël të vendit të vogël ku jeton, saqë është e pamundur të imagjinohet që FRESSH të vazhdojë me avazin e njëjtë që me të njëjtën rrugë të kërkojë një rezultat të ndryshëm”, tha kryeministri Rama.