Koronavirusi/ MSH: Shqipëria e paprekur, dje u testuan 3 raste

Ministria e Shëndetësisë njofton këtë të diel se Shqipëria vijon të mos preket nga koronavirusi.

Në një deklaratë publike, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, pjesë e Task-Forcës së Ministrisë së Shëndetësisë, Eugena Tomini, tha se gjatë ditës së djeshme janë testuar tre raste të dyshuara, të cilët kanë rezultuar negativë.

“Gjatë ditës së djeshme janë testuar tre raste, të cilët kanë rezultuar negativë. Nga survejanca e shtuar në pikat kufitare, po monitorohen të gjithë udhëtarët. Ministria rekomandon për udhëtarët, që vijnë nga rajonet e prekura, të vetëkarantinohen për 14 ditë”, tha ndër të tjera Tomini.

Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672 persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare. Në 24 orët e fundit thirrjet në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon udhëtarët që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.

MSHMS rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.