‘Gjithçka e manipuluar’/ Zbardhen detaje nga dëshmia e Henri Çilit

Botuesi Henri Çili është marrë në pyetje pasditen e djeshme nga oficerët e policisë gjyqësore në Gjirokastër.

Burime nga policia thanë se Çili ka mohuar të ketë pasur dijeni për gjithçka që akuzohet nga Prokuroria.

Ky i fundit i është nënshtruar seancave pyetësore në orët e vona të pasdites së djeshme nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore në Policinë e Gjirokastrës.

Në të gjitha dëshmitë që ka dhënë në 1 orë e gjysëm seancë pyetësore në ambientet e  Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, Henri Çili mësohet të jetë shprehur se nuk ka kryer asnjë shkelje në lidhje me akuzat që i bëhen dhe se gjithçka sipas tij është tërësisht e manipuluar dhe do t'i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte.

Burime nga Prokuroria e Përmetit bëjnë të ditur se Henri Çili pritet që të dalë para Gjykatës së Faktit në Përmet mesditën e së dielës.

Mbi Çilin rëndojnë veprat penale: 

Fshehja e të ardhurave’, ‘ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Mashtrimit’, ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Falsifikimi dokumenteve’ në bashkëpunim.