Virusi, rritja alarmante në Korenë e Jugut dhe përhapja në 8 shtete të tjera shtojnë frikën e pandemisë

Përhapja e shpejtë e koronavirusit ka rritur frikën e një pandemie të premten, pasi tetë shtete të tjera raportuan rastet e tyre të para dhe OBSH-ja  ngriti alarmin e një përhapjeje globale dhe alarmin e rrezikut “shumë të lartë”.

Katër persona të tjerë kanë vdekur në Itali nga koronavirusi. Mbrojtja Civile tha të premten se numri në total i vdekjeve shkoi në 21, ndërsa numri i atyre që kanë dalë të infektuar ka kapërcyer 889 nga 650 që ishte të enjten.

Gjermania paralajmëroi një epidemi të afërt dhe Greqia, një portë për hyrjen e refugjatëve nga Lindja e mesme, nisi kontrolle të forta kufitare. Gjermania ka afro 60 raste, Franca rreth 57 dhe Spanja 32, sipas Reuters.

Irani njoftoi të premten mbylljen e shkollave për tre ditë që nga e shtuna ndërkohë që numri I të vdekurve shkoi në 34 me 388 persona të infektuar.

Koreja e Jugut raportoi numrin më të lartë të të infektuarve në një ditë, 594 që e çon atë në 2931 të shtunën. Të vdekurit arritën në 17, me rritje 4 viktima nga një ditë më parë. Qeveria e Koresë së Jugut u bëri thirrje qytetarëve të shtunën të qëndrojnë Brenda pasi është një moment kritik në betejën e saj kundër koronavirusit.

Në Kinë, prej nga ku virusi ka origjinën, njoftohen katër të reja të shtunën, numri më i ulët që kur autoritetet filluan përpilimin e të dhënave që nga janari.

Dy raste të reja infeksioni me origjinë të panjohur u konfirmuan në SHBA, në Kaliforni dhe Oregon.