Ndërron jetë Vito Kapo, një ndër bashkëpunëtoret e afërta të Enver Hoxhës

Ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare, Vito Kapo, një nga figurat kryesore të regjimit të Enver Hoxhës dhe bashkëshortja e Hysnit Kapos, njërit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij.

Vito Kapo ka vdekur 3 ditë pasi ka ndërruar jetë, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës, me të cilën Kapo ka qënë bashkëluftare gjatë LANÇ-it dhe më pas, në rangjet më të larta të pushtetit në vitet e diktaturës. Vito Kapo nuk ka qënë anëtare e Byrosë Politike, por anëtare e Komitetit Qëndror të PPSH-së. 

Vito Kapo jetonte në një  katin e parë të një ndërtese që dikur ka qenë Institut studimesh, diku pra 21 Dhjetorit në Tiranë, me familjarët e saj.

Vito Kapo lindi më 9 nëntor 1922 në Nivan të Zagorisë, e bija e dr. Stathi Kondit dhe Krisanthisë; motër e Pirro, Alqit dhe Tanës. Më 1941 mbaroi Institutin Femnor "Nana Mbretneshë" të Tiranës, sipas burimeve nga Wikipedia.

Në vitet 1942-43 ra në kontakt me grupet komuniste dhe u bë pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës. Në shkurt-maj 1942 shërbeu si mësuese në fshatin e lindjes. Gjatë luftës u ndodh në Nivan, Konispol e Përmet. Më 1943-44 qe anëtare e sekretare organizative e Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste për Gjirokastrën.

 Në korrik-nëntor 1944 punoi si sekretare e Enver Hoxhës pranë shtabit të përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan. Në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 qe në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare.

Pas marrjes së fuqi të komunistëve, në korrik 1945 gjer në maj 1946 punoi atashe shtypi në legatën shqiptare në Beograd, ku i shoqi shërbeu si ambasador. Më vonë u emërua Drejtoreshë e Arsimit të Lartë dhe për një kohë shumë të gjatë ka drejtuar Bashkimin e Grave të Shqipërisë. Po ashtu, ka mbajtur postin e Ministres së Industrisë në 1987-1990, në vitet e fundit të diktaturës dhe para nisjes së pluralizmit.