Ish-kryeministri i Suedisë në krah të Kurtit: Bëri hapin e duhur, radhën e ka Serbia

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt e konsideron një hap të mirë vendimin e djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të hequr pjesërisht taksën ndaj produkteve me origjinë serbe.

Përmes një reagimi në Twitter, politikani i njohur europian kërkon që edhe Beogradi zyrtar të hedhë hapa përpara drejt dialogut me Prishtinën.

Bildt fton Bashkimin Evropian që të shprehë gatishmërinë për të ndihmuar palët në këtë aspekt.

“Një hap i mirë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sigurisht që nuk do të bënte keq një hap nga Serbia, për të filluar një dialog të ri. Dhe Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm të ndërhyjë dhe të ndihmojë”, shkruan Bildt.

Vendimin e djeshëm të Kurtit e mbështeti edhe Joseph Borrell, komisionieri për zgjerim në BE. 

Gjithashtu veprimi është mirëpritur edhe nga Italia. Ambasadori italian në Prishtinë, Nicola Orlando, ka thënë se pajtohen plotësisht me qëndrimin e BE-së, duke shtuar se shteti i tij inkurajon palët për rinisje të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se për një gjë të tillë janë të gatshëm edhe të ndihmojnë.

Por vendimi i djeshëm i Kurtit nuk i ka pëlqyer të dërguarit të Donald Trump, Richard Grenell. Ai është shprehur se kryeministri i Kosovës po bën një gabim të madh. /A.R, Syri.net