Vendim ekstrem i 'Ultras Guerrils', Partizani rrezikon të mbetet pa tifozë në derbi

Orët kalojnë dhe afrimi i derbit të madh të kryeqytetit, i treti për këtë kampionat, e rrit adrenalinën në radhët e të dyja tifozërive. Po ashtu, shtohet përgjegjësia te klubi organizator, por edhe forcat e sigurisë dhe rendit, që duhet të menaxhojnë një përplasje përherë të ethshme, sidomos në shkallët e stadiumit. Detyrimit të uniformave blu, për të mos lejuar asnjë tifoz të hyjë në “Air Albania Stadium” pa kartë identiteti (pra, pa u çekuar), “Ultras Guerrils” i janë përgjigjur me kundërshti të hapur. 

Ata e konsiderojnë një masë të tillë si represion federatë-shtet, të cilës nuk do t’i nënshtrohen. Po si do të vepriojnë? Do të braktisin ndeshjen dhe nuk do të jenë pjesë e supersfidës. Sipas këtij paralajmërimi, ka gjasa që Partizani të mbetet “jetim” në stadium, pa tifozët e vet më të zjarrtë. Interesant është fakti se mbështetësit e “demave të kuq” vazhdojnë ta quajnë “Qemal Stafa” arenën e re kombëtare, pavarësisht emrit të ri tregtar që ka marrë. Ja njoftimi i tifo-grupit në fjalë, bërë mesditën e sotme:

“Nesër në "Qemal Stafa" luan Partizani! "Guerrils" ju fton të gjithëve t'i bashkohen marshimit të madh, që do të nisë nga Baza në orën 17:00 për ta kurorëzuar dominimin e kuq në çdo front, ashtu siç tradita jonë e do, ashtu siç e kërkon tifozëria e kuqe.

Por! Njoftojmë zyrtarisht të gjithë anëtarët se "Ultras Guerrils" do të vijojnë të respektojë deri në fund veten dhe atë çka përfaqëson, duke mbetur të papërkulur ndaj represionit që sistemi federatë-shtet kërkon të na imponojë me përdhunë!

Ndaj, ju bëjmë me dije se asnjë anëtar yni nuk do të jetë prezent në stadium, nëse do të kërkohet hyrja me kartë identiteti! Ne nuk do të shkelim kurrë mbi veten tonë! Dje, sot, përjetë!”