Sarri: 'Aty lëviz me 200km/orë, është e çuditshme që nuk ndodh në ndeshje'

Trajneri i Juventus, Maurizio Sarri e përtyp me hidhërim humbjen e bardhezinjve në transfertë ndaj Lyon me rezultatin 1-0.

Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Sky Sport”, tekniku i kampionëve të Italisë ka vënë theksin te mungesa e shpejtësisë në lojën e bardhezinjve.

“Kam shumë vështirësi që të përçoj te kjo skuadër konceptin e të lëvizurit me shpejtësi të topit. Në stërvitje topi lëviz me 200 km/orë, është e çuditshme që nuk ndodh në ndeshje”.

“Kur humbet shpejtësi, atëherë gjithçka shndërrohet në shumë të vështirë. E çuditshme është që në stërvitje punojmë me shpejtësi të dyfishuar krahasuar me atë që bëmë sot”, deklaroi ndër të tjera Sarri.