Busquets: Ishte e pamundur të gjeje hapësirë te Napoli

Sergio Busquets ka thënë se ka qenë e pamundur që Barcelona të gjente hapësira në mbrojtjen e Napolit.

Busquets gjithashtu ka vënë në pah se katalunasit do të kenë mungesa në ndeshjen e kthimit.

“Napoli luante me një vijë prej 4 lojtarësh dhe praktikisht 6 prej tyre ishin në mbrojtje. Ishte e pamundur që të gjeje hapësirë”, ka thënë mesfushori për El Chiringuito.

Busquets mori karton të verdhë, ndërsa Arturo Vidal u përjashtua me të kuq, prandaj të dy do të mungojnë në ndeshjen e kthimit më 18 mars.

 “Tani për tani kemi pak opsione, prandaj duhet të gjejmë zëvendësimet e duhura”, është shprehur spanjolli.

Antoine Griezmann e neutralizoi golin e Dries Mertens dhe ndeshja u mbyll 1-1 duke lënë të hapur kualifikimin për sfidën e kthimit në “Camp Nou”.