Nis takimi i kreut të OSBE me ministrin e Jashtëm rus Lavorv, Rama: Sa paska ndryshuar Moska!

Aktualisht në Moskë është duke u zhvilluar takimi mes kreut të OSBE-së Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov. I pari e ka marrë fjalën Lavrov, i cili ka vlerësuar rolin e OSBE-së në krijimin e kushteve për një dialog konstruktiv në çështjet globale, të cilat ai i cilësoi si komplekse.

Nga ana e tij Edi Rama në fillim të fjalës ka folur me entuziazëm për ndryshimet e bëra në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, gjatë këtyre 15 viteve, që nga koha kur ai e ka vizituar atë si kryebashkiak I Tiranës. Rama gjithashtu ka qene dakord me konstatimin e Lavrov për kompleksitetin e situatës ndërkombëtare, duke shtuar se politika duhet të nisë nga perspektiva e vuajtjes së njerëzve që duhet të ushqejnë motivet e saj.

“Parimet e OSBE-së të integritetit territorial, sovranitetit, të drejtave të njeriut mbeten po aq akuale sa 45 vjet më pare. Vij këtu me besimin se Ju dhe vendi juaj i shkëlqyer do të përdorni ndikimin tuaj në këtë format për të ecur drejt paqes së shumëkërkuar”, ka deklaruar kreu i OSBE, Edi Rama.