Nuk ka asnjë të prekur, por shpall emergjencën/ 'Koronavirusi nuk njeh kufinj'

Shtetet europiane kanë shpallur rastet e tyre të para të prekjes nga koronavirusi, të cilat duket se lidhen me përhapjen e virusit në Itali. Austria, Kroacia dhe Zvicra thanë se personat e prekur nga koronavirusi në këto vende kanë udhëtuar nga Italia.

Ndërkohe është regjistruar edhe testi i parë pozitiv në Amerikën Latine, me një banor brazilian që sapo ishte kthyer nga Italia. Pavarësisht frikës e panikut se Italia po shërben si valë e përhapjes së virusit, fqinjët e saj kanë vendosur se mbyllja e kufijve mund të jetë e papërshtatshme.

Ministrat e Shëndetësisë nga Franca, Gjermania mbeten të angazhuar t’i mbajnë hapur kufijtë e tyre, edhe pse në Europë janë shënuar rastet e para gjatë orëve të fundit, me qytetarë që kanë udhëtuar nga Italia qendrore dhe ajo e jugut.

“Flasim për një virus që nuk respekton kufijtë” tha ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza. Homologu i tij gjerman Jens Spahn tha se vendet europiane po e shqyrtojnë situatën me shumë seriozitet dhe i tremben një përkeqësimi të saj.

Ndërkohë edhe pse nuk ka asnjë person të prekur nga virusi vdekjeprurës me origjinë nga Kina, qyteti i San Francisco-s vendosi të shpallë gjendjen lokale të emergjencës.

Autoritetet e qytetit të katërt më të madh në Kaliforni bëjnë me dije se vendosën që të marrin këtë masë për të ndërgjegjësuar publikun që të përgatitet për përhapjen e mundshme të këtij virusi të rrezikshëm.

“Edhe pse nuk kemi asnjë rast mes rezidentëve të San Francisco, duhet që të jemi të përgatitur, pasi harta globale e përhapjes së koronavirusit po zgjerohet me ritme shumë të mëdha”, u shpreh kreu i bashkisë, London Breed.

Qendrat Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve u shpreh një ditë më parë që shtetet amerikane duhet të përgatiten për përhapje komunitare, pas shpërthimit të virusit në shumë vende të ndryshme të botës.

SHBA deri në këto momente ka pasur 14 raste me koronavirus, të cilat janë trajtuar dhe vetëm 2 prej tyre ishin përhapur nga njeriut tek njeriu. Gjithashtu janë dhe 39 raste të amerikanëve të evakuuar nga anija krocierë “Diamond Princess”.