Iran, numri i vdekjeve nga koronavirusi shkon në 12, mbyllen kufijtë

Irani është në vijën e parë të përhapjes së koronavirusit. Ministria e shëndetit ka konfirmuar 61 raste të individëve të infektuar dhe 12 vdekje si pasojë e COVID-19.

Një ligjvënës në qytetin e Qom pretendon se rastet e vdekjeve mund të jenë edhe më të larta nga ç’është publikuar dhe numrat mund të shkojnë deri në 50. Kjo deklaratë gjithsesi është mohuar nga ministria  e shëndetit.

Ajo që po e vështirëson edhe më shumë situatën në Iran janë sanksionet ekonomike të vëna nga SHBA dhe shtete të tjera, sipas një anëtari të agjencisë së importimeve të pajisjeve mjekësore.

Për shkak të kësaj përhapje masive në Iran, Turqia, Pakistani dhe Iraku kanë mbyllur kufijtë me të, ndërsa linjat ajrore Kuwait Airways, Iraq Airways dhe ato turke kanë pezulluar fluturimet për në Iran.

Emiratet e Bashkuara Arabe po ndalojnë qytetarët të udhëtojnë drejt Iranit dhe Tailandës dhe të gjitha fluturimet nga aeroporti i Dubait drejt tij janë anulluar, me përjashtim të Tehranit.