‘Jam i pavdekshëm’/ Brenda sektit me shumë të prekur nga koronavirusi

Bota njohu një shpërthim të rasteve me koronavirus jashtë Kinës, me tri vende që kanë shënuar një rekord brenda pak ditësh. Bëhet fjalë për Italinë, Iranin dhe Korenë e Jugut.

Kjo e fundit mban numrin më të lartë të të prekurve përveç Kinës, me 763 në total. Prej tyre, gjashtë kanë humbur jetën. Ditën e fundit u identifikuan 161 pacientë me koronavirus.

Të paktën gjysma e të prekurve nga koronavirusi në Korenë e Jugut i përkasin një sekti fetar, të njohur si Kisha e Jezusit në Daegu. Ky sekt dhe një spital janë kthyer në vatra të sëmundjes. Mendohet se të dy janë të lidhur, pasi anëtarët e sektit kanë shkuar në spital për të parë vëllain e themeluesit të kultit të errët. Ai ndërroi jetë.

Sekti është themeluar nga Lee Man-Hee, tashmë 88 vjeç. Kulti i tij është dënuar nga autoritetet e krishtera në botë si mashtrues.

Lee ka 74 kisha në Korenë e Jugut. 120 mijë ndjekësit e tij mendojnë se ai është i pavdekshëm. Pak gjëra dihen për kultin pasi janë shumë të izoluar. Disa besojnë se Lee është profet.