'I am Edi Rama, I am Corona'

Tërmeti i 26 nëntorit ishte fatkeqësia e shqiptarëve, por Edi Rama e kalëroi pa pikën e mëshirës. Katër ditë pas termetit, unë pata shkruar tekstin “I am the King, I am Edi Rama”. Në të vërtetë, ai u soll pikë për pikë ashtu siç e pata parashikuar unë; madje ai tejkaloi pritshmëritë e mia.

Në Italinë fqinje mbërriti virusi i frikshëm, që në të vërtetë, ka vdekshmëri shumë të lartë, krahasuar me epidemitë e tjera virusale. Deri më tani, sipas statistikave zyrtare kineze, Shkalla e Vdekshmërisë është 2.1 % në shkallë kombëre, 4.9% Wuhan, 3.1% Hubei, dhe 0.16% në provincat e tjera. Këto të dhëna janë raportuar nga NHC e Kinës.

Sipas të gjitha gjasave, shkalla mesatare vdekshmërisë është rreth ose mbi 3 % e të infektuarve. Në të vërtetë, një shkallë tepër e lartë.

Gjendja ekonomike dhe sociale e shoqërisë shqiptare është tejet e vështirë, Në të vërtetë, ajo është në kufinjtë e pamundësisë absolute. Imunologjia e shtresave të tëra të popullsisë është shumë e dobët, kjo si rezultat i kequshqyerjes, mungesës së ushqimeve me përmbajtjen e nevojshme të proteinave dhe vitaminave. Specialistët e kuptojnë mirë se çfarë do të thotë një organizëm i paushqyer. Familje të tëra ushqehen keq, ose shumë keq, ndërsa të tjera hanë vetëm një vakt në ditë. Me siguri, me përhapjen e mundshme të Koronavirusit, viktimat e para do të jetë kjo shtresë e popullsisë.

Kontrollet dhe masat që ka marrë qeveria janë qesharake. Ka dy ditë që Italia gjendet nën alarm kombëtar nga përhapja e virusit, ndërsa janë shënuar 3 viktima dhe mbi 100 të infektuar.

Shqipëria vazhdon njëlloj rutine vrastare, ku shihen disa bluza të bardha teksa bredhin duke u zgërdhirë në terminalet e trageteve të sapoardhur nga Italia. Asgjë më shumë.

Kjo sjellje është tronditëse. Është çmenduri fatale.

Unë jam i bindur se Edi Rama e dëshiron Koronavirusin në Shqipëri. Sepse, në rrethanat aktuale, ai nuk mund të gjejë aleat më të mirë se sa "armën" që ngjallë frikë, shkakton gjendjen e rëndë, vdekjet. Kjo lloj situate do të "forconte" shtetin në emër sigurisë publike, dhe, në këto rrethana, në plan të parë do të ishte mbijetesa, asgjë tjetër.

Unë u bëj thirrje mjekëve, atyre që u dhimbset vërtetë ky popull i mjerë, të marrin masat urgjente që gjendja në terren të ndryshojë. Përndryshe, në një përhapje të mundshme të epidemisë, me siguri edhe Shqipëria mund të vihet në karantinë ndërkombëtare.