Basha në SHBA, takim me rivalin e Trump brenda republikanëve: Ted Cruz, mishërimi i ëndërrës amerikane

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është duke zhvilluar një vizitë në SHBA ku është i ftuar në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës së Donald Trump. I ndodhur në Uashington, Basha ka nisur edhe takimet. Takimi i parë ishte me kandidatin për President të SHBA në fushatën brenda Partia Republikane, Ted Cruz.

Lajmin e ka bërë publik vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha në një postim të tij në faqen e Facebook.

“Dje kisha nderin te isha i ftuar në pritjen e organizuar nga Senatori Ted Cruz me të cilin pata një nga bisedat më mbresëlënëse. Jurist i shkëlqyer, prokuror dhe avokat i suksesshëm i Shtetit të Teksasit dhe njohës i rrallë i politikave publike, ai më ofroi këshilla interesante për të luftuar korrupsionin dhe forcuar drejtësinë”, shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.

“Ted Cruz është vetë mishërimi i ëndrrës amerikane: me baba kubanezo-spanjoll dhe nënë irlandeze, i lindur në Kanada dhe i rritur në Teksas, sot është figura kyçe e Senatit dhe një ndër politikanët më të rëndësishëm të Amerikës. Kjo karrierë është e mundur vetëm në një vend të lirë dhe të hapur për të gjithë”, përfundon shënimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha në faqen e tij të Facebook.

.