I barazoi rekordin/ Batistuta përgëzon me ironi Cristiano Ronaldon

Gabriel Batistuta ka zgjedhur rrjetet sociale për të uruar Cristiano Ronaldon, i cili një ditë më parë i barazoi rekordin e ndeshjeve radhazi, duke shënuar gol në Serinë A.

Ashtu si ish-sulmuesi i njohur argjentinas, apo edhe Fabio Kualjarela, Ronaldo dje ndaj SPAL-it regjistroi ndeshjen e 11-të radhazi që tundte rrjetën në Serinë A.

“Përgëzime Cristianos për rekordin! E vetmja gjë është që duke pushuar më duket se është më e lehtë”, ishin fjalët e ish-sulmuesit që në vitet ‘90 mori nofkën “Mbreti Luan” falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera me fanellën e Fiorentinës dhe Romës.

Ai i referohej faktit se ishte i vetmi futbollist i cili kishte shënuar në 11 ndeshje radhazi pa u ndalur asnjëherë, ndërsa si Kualjarela, ashtu edhe Ronaldo, i kishin bërë nga një ndeshje pushim të plotë në mes për të arritur numrin e 11 sfidave radhazi teksa tundnin rrjetën.