Balla thotë se Presidenti është i opozitës, Blushi e paralajmëron: Fakte të reja do të dalin, ke kohë deri në 2 mars!

Taulant Balla, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, e ka cilësuar sot Presidentin e Republikës Ilir Metën si një prej aktorëve të lidershipit të opozitës dhe e ka kthyer Presidencën, në një prej selive të opozitës.

I pyetur nga mediat nëse e pengonte integrimin e vendit, mitingu popullor i thirrur më 2 mars nga Presidenti Meta për të kundërshtuar “grushtin e shtetit” të organizuar nga qeveria për të kapur politikisht edhe Gjykatën Kushtetuese, Balla nuk i kurseu ironitë. Sipas tij, Ilir Meta kishte vetëm një hall personal në këtë rast, i cili kurrsesi nuk duhej të vendosej mbi aspiratën historike të shqiptarëve për integrim.

Por, i menjëhershëm ka qënë reagimi i Tedi Blushit - zëdhënësit të Presidentit, i cili e paralajmëroi Ballën - krahun e djathtë të Edi Ramës, se fakte të reja do të dilnin shumë shpejt në dritë, duke iu referuar kështu sërish kapjes politike nga Rama edhe të Gjykatës Kushtetuese.

Në vijim, deklarata e Ballës dhe replika e Tedi Blushit:

Taulant Balla: “Rruga europiane e Shqipërisë, që e mbështesin më shumë se 97% e shqiptarëve, nuk mund të pengohet dhe dëmtohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo individi apo politikani.  

Rruga europiane e Shqipërisë sot është më e sigurtë se kurrë.  Gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi  Rama, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për të cilin as nuk bëhej fjalë para vitit 2013 dhe kujtoj se sa herë është refuzuar dhe, edhe pse brenda BE ka shumë divergjenca, kujtoj se ai ka vendosur të thërrasë një konferencë për të ardhmen e Evropës dhe se edhe vende të Ballkanit perëndimor do të jenë pjesë e saj, - ka dhe politikanë apo individë që harrojnë se halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për integrim.

Ndaj dua t’ju them shumë qartë mos harxhoni kohë kot me transmetime pa fund historish idioteske grushtesh e mosgrushtesh shteti e të tilla si kjo po të jemi në një moment që vëmendja e shqiptarëve të jetë tek procesi i rindërtimit.

A  ndikon aksioni i Presidentit, negociatat midis palëve për Reformën zgjedhore?!

Kjo është diçka që i takon opozitës. Presidenti aktual është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës. Askush nuk e mohon që Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend dhe si i tillë, opozita, ka lidershipin e saj dhe madje Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Lulzim Basha organizon bashkë me opozitën brenda në selinë e PD-së.”

 

MESAZHI I PLOTE I TEDI BLUSHIT:

"Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon. Ka harruar që e ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri tani.Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre. Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian?

S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese.

Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillo që Iu lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do t’ia bëni?! Apo s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që ju e pretë në besë?!

Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian!? Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta!

Duan të sabotojnë ndihmat (borxhet) thotë Tao.Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro! Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do të shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve. Ah po, shqiptarët do të fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave. Fakte të reja do të dalin Tao dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë," ka përfunduar Blushi.