FOTO/ Zbulohet e shkatërrohet rrjeti i spiunazhit i ngritur nga rusët në Shqipëri e Kosovë

Agjencia e Inteligjencës së Kosovës ka mundur të dekonspirojë të zbulojë një rrjet spiunazhi të ngritur nga Rusia, të cilët vepronin si një organizatë humanitare në Kosovë dhe dyshohet se kishin shtrirë aktivitetin e tyre edhe në Shqipëri, por dhe vende të tjera në Europë.

Nga të dhënat e siguruara që janë bërë publike në fund të vitit 2016, thuhej në Kosovë ka një rrjet të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të Rusisë, të cilët udhëhiqeshin nga Dragana Trifkoviç, e cila dyshohet se është një agjente e nivelit të lartë.

Trifkoviç është drejtore e Qendrës për Studime Gjeostrategjike dhe njëkohësisht vepron edhe në kuadër të Qendrës Euroaziatike për Studime dhe Zhvillim. Njëkohësisht, ajo ka qenë edhe një nga figurat e larta të Partisë Demokratike të Serbisë (Demokratska Stranka Srbije), e themeluar nga Vojisllav Koshtunica.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi ka qenë e 14-ta në listën për deputetë, ndërsa koalicioni ku ajo konkurroi ka marrë vetëm 13 mandate. Në kuadër të veprimtarisë së saj kundër Republikës së Kosovës, Dragana Trifkoviç kishte ngritur një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh të cilët vepronin jo vetëm në Kosovë e Serbi, por edhe në shumë vende të tjera perëndimore.

Ajo është ndër kultivueset më të mëdha të propagandës që ka për qëllim diskriminimin e shqiptarëve në përgjithësi, duke shtrirë rrjetin në media e politikanë që nga Moska e deri në Berlin, Paris, Romë e Bruksel.

AKI ka evidentuar raste kur ajo e ka vizituar Kosovën, por në të gjitha rastet asnjëherë nuk është regjistruar në kufi, qoftë në pikat veriore 31 dhe 1, qoftë në Merdar.

Në vitin 2014, së bashku me një gjerman, me profesion gazetar, ka vizituar disa qytete në Kosovë (Mitrovicën Veriore, Rahovecin, Pejën, Prizrenin), duke krijuar kontakte të reja dhe njëkohësisht duke krijuar propagandë në mediat gjermane kundër Kosovës dhe liderëve të saj. Sipas konstatimeve, DT dëmin më të madh Kosovës ia bën duke rekrutuar serbë të Kosovës nëpër seminare e takime të ndryshme që i organizojnë institutet e ndryshme ruse në Serbi.

Një rast shqetësues për Kosovën, është dyshimi se ajo mund të ketë rekrutuar njerëz të strukturave të larta të Listës “Srpska” e të cilët janë të përfaqësues në institucionet e Republikës së Kosovës.

Bashkëpunëtorët më të mëdhenj të Dragana Trifkoviç janë ushtarakë e zyrtarët e shërbimeve serbe të inteligjencës të cilët kanë vepruar në Kosovë para vitit 1999, e të cilët kanë qenë në maja të atyre strukturave, siç është rasti i kolonel Lubinko Gjurkoviçit - komandant i forcave serbe në Koshare, pastaj Sllavko Nikiçit - pjesëtar i RDB-së (Resori i Sigurisë Shtetërore – pasuese e UDB-së) dhe autor i disa librave diskriminues ndaj figurave kryesore të UÇK-së, Marko Jakshiçit dhe Slavisha Ristiçit - liderë të nacionalistëve serbë në komunat veriore, Zvonko Mihajlloviqit - lider i strukturave radikale serbe në Shterpcë, Bozhidar Delliq – gjeneral serb i lindur në Gjakovë dhe B.N. gazetar serb i njohur në Kosovë nga Graçanicës që vjel fonde edhe nga shtete perëndimore në Kosovë etj.

AKI ka të dhëna se Trifkoviç është e martuar megjithëse këtë e mban shumë të fshehtë. Familja e ngushtë e saj jeton në Moskë, ku vet ajo e kalon një pjesë të madhe të kohës. Përveç veprimtarisë së saj e cila dëmton rëndë Republikën e Kosovës, AKI ka në dispozicion prova të tjera të cilat e rrisin dyshimin e bazuar se ajo është pjesë e shërbime ruse të inteligjencës.

Dragana Trifkoviç ka qenë e angazhuar, tërthortë apo direkt, edhe në nxitjen e pjesëmarrjes së serbëve në kuadër të forcave separatiste proruse në Ukrainë dhe ka raport shumë të mira me shumë prej vullnetarëve serbë atje. Madje, ajo vet ka qenë e pranishme në vijat e frontit në Ukrainë. Për këtë ajo është akuzuar si spiune edhe nga qeveria e Ukrainës.

Përfundimisht, një rrjet i bashkëpunëtorëve të Dragana Trifkoviç ka ndërhyrë edhe në Malin e zi, me 16 tetor 2016, ditën e zgjedhjeve parlamentare, ku Aleksandar Sinxhelliçi së bashku me ish-komandantin e xhandarmerisë serbe Bratislav Dikiçin, u akuzuan për grusht shteti. Menjëherë më pas, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se i vjen keq nëse Mali i Zi mbështetet në të dhënat e komandantit të policisë së Kosovës, Selimajt, duke e injoruar kështu dhe mos njohur Republikën e Kosovës, përkatësisht AKI-ne dhe drejtorin Agron Selimajn.

Marrë nga RTK