Mos e lini vetëm studentin e mjekësisë

Një student i mjekësisë i ka dhënë leksion kurajoje gjithë vendit dhe shoqërisë që po lëngon nga një mpirje e gjatë dhe letargjike, teksa çdo ditë e më shumë po ndodh instalimi i një regjimi autokratik që kërkon të frikësojë e të heshtë zërat kritikë.

Studenti i mjekësisë ngrihet dhe e shpreh revoltën e tij teksa Kryeministri po fliste, me siguri të njëjtin mesazh që ka 7 vite që mban, ku gjen armiq, fajëson këdo, tregon për mrekullitë që ka në plan të bëjë, dhe e mbyll me atë shprehjen, më të mirë se unë nuk ka.

Ndërkohë që tarifat e studentëve janë ende të papërballueshme, gjendja në konvikte njësoj skandaloze, e sikur të mos mjaftonte kjo, ata, profesionistët e ardhshëm duhet të denden me propagandë e të rrijnë sus, të mbyllin gojën.

Më e rënda ndodhi pas aktit të studentit.

E para, është reagimi tërësisht harbut dhe i papranueshëm i Kryeministrit, që tregohet mujshar teksa ka mikrofon e qendër zëri në dorë, dhe një ushtri me gardistë që vigjëlojnë si sypetritë.

Dhe gjen rastin e fyen, e përqesh mjekun e ardhshëm, i cili kërkon të ketë zë, e të tregojë në të vërtetë se si është gjendja. Ai thotë se na duhen bileta të arratisemi. Rama i gjegjet me qesëndi, përbuzje e foni cilësore; jepini recetën atij, nxirreni jashtë, bejini trajtim shëndetësor.

Pra Kryeministri, live, faqe botës, e trajton atë, studentin e mjekësisë, si të ishte një i sëmurë mendor. Edhe nëse do ishte ashtu, a mundet një zyrtar i këtij niveli, një njeri me kaq shumë përgjegjësi sa kreu i qeverisë, dikush që duhet të kujdeset për çdo pacient e njeri në hall e nevojë shëndetësore, të flasë në atë mënyrë, t’i drejtohet dikujt asisoj?

Po, kjo nuk ndalet këtu. Pamje të reja të publikuara pak më vonë, janë edhe më tronditëse. 4 efektivë të gardës e rrethojnë të riun, i cili nuk ka ndërmend ta ndalë zemëratën. Vijon të ketë zë, vijon protestën e tij. Ashtu i vetëm. Gardistët muskulozë e hijerëndë, nuk ja zgjasin, kanë marrë urdhër nga shefi i madh.

E nxjerrin jashtë me forcë.

Dhe ende nuk ka marrë fund. Akti i përtejmë i kësaj drame, është se askush nuk pipëtin. Studenti lihet vetëm nga shokët dhe miqtë e tij. Asnjëri për be nuk solidarizohet. Kjo panoramë, për fat të keq është një fotografi tragjike e shoqërisë dhe realitetit që po jetojmë. Frika ka hyrë në palcë. Sunduesi ia ka dalë. Po një gjë është e sigurtë. Edhe pse në heshtje, studenti i mjekësisë ka fituar sot simpatinë masive të njerëzve.

Nëse bëhet një sondazh, se kujt i besojnë më shumë qytetarët; studentit të revoltuar, apo kryeministrit, e sigurtë është se i riu që pati kurajon këtë mbremje të ngrinte zërin, do të fitonte bindshëm. Ndaj, mos e lini vetëm studentin e mjekësisë./MAPO