Bardhi: Qeveria e Ramës, organizatë mafioze për të asgjësuar Gjykatën Kushtetuese që në lindje

Menjëherë pasi Presidenti Ilir Meta publikoi këtë pasdite të tjera fakte se si maxhoranca po kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese nëpërmjet manovrave antiligjore, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Partia Demokratike.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, shkruan se ‘Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin,  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjesuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje.’

‘Tentativa kriminale e Edi Ramës për uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese u çmontua sot me të tjera fakte të pakundërshtueshme nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin,  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjesuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje. Me një skemë kriminale, Qeveria ka ndërmarrë veprime aktive për t’i rrëmbyer kompetencën kushtetutese Presidentit të Republikës për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe për të emëruar aty një shërbëtore politike të Qeverisë.

Dokumentat e bërë publikë nga Presidenti janë tronditës. Qeveria boton në Fletoren Zyrtare një akt për llogari të KED-së, që sipas Kushtetutës është një institucion pa asnjë lidhje me Qeverinë.  Është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend’,- shkruan Bardhi