‘Bombat e Putinit’/ Eksod masiv nga Siria, Gjermania në alarm

Në veri të Sirisë po zhvillohen luftime të ashpra, të cilat kanë provokuar një tjetër krizë refugjatësh në përmasa të mëdha. Sipas gazetës gjermane BILD, vetëm në dhjetë muajt e fundit janë larguar nga vendi 1.2 milionë sirianë. Bëhet fjalë kryesisht për rajonet Idlib dhe Aleppo.

Gazeta shkruan se vetëm javët e fundit, numri i refugjatëve është dyfishuar.

Në këto rajone të Sirisë po luftohet mes forcave rebele dhe atyre të ushtrisë qeveritare siriane.

BILD shkruan se bombat e Vladimir Putin, presidentit rus që përkrah liderin sirian Bashar al-Assad, po provokojnë një tjetër krizë të ngjashme me atë të vitit 2015. Në atë vit, qindra-mijëra refugjatë sirianë u dyndën në Gjermani.

A mund të përsëritet ky skenar? Gazeta shkruan se qeveria gjermane nuk po reagon akoma për këtë situatë të rëndë humanitare.