VIDEO/ Tritol në makinë, flet Suad Lici: Kriminelët të lenë rehat Vllazninë

Administratori i klubit Vllaznia, ish-futbollisti Suad Lici ka reaguar pas gjetjes së tritolit poshtë makinës së tij.

Duke folur për mediat, Lici është shprehur se e ka parë rastësisht lëndën plasëse, në kohën kur ishte duke marrë makinën.

Ai është shprehur se nuk ka konflikte me askënd dhe kjo ngjarje mund të ketë lidhje me punë e tij.

‘Rreth orës 08:30 dola nga shpia për të marrë makinën dhe pashë një pako të dyshimtë.

Më pas menjëherë njoftova për policinë. Nuk kam konflikt me njeri.

Ndoshta mund të jetë dhe për shkak të detyrës. Unë nuk kam pasur as nuk kam ndonjë konflikt me asnjë njeri, unë jam njeri i lirë dhe vazhdoj të jem i lirë.

Nuk kam pasur asnjë lloj problematike, njerëzit kanë kërkuar sqarime dhe u kam dhënë sqarime.

Unë jam personi përgjegjës për mbarëvajtjen e punës. Formacionin e bëjnë stafi teknik dhe drejtuesit. Unë kam plotësuar kërkesat që ka pasur skuadra. Unë do të vazhdoj jetën time të përditshme.

Pa folur organet kompetente nuk kemi pse të flasim. Nëse ka të bëjë me sportin, mendoj që njerëzit, kriminelët apo çdo strukturë kriminale të lënë të qetë Vllazninë dhe sportin, popullin e Shkodrës, sepse ky qytet meriton shumë më shumë.

Do të vazhdoj jetën normale, pasi unë jam njeri i lirë’, tha Suad Lici për mediat.