Deklarata e Kurtit për marrëveshjet/ Haradinaj: Turpëroi vendin dhe dëshpëroi SHBA-në

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë, ish-kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeminsitri aktual i Kosovës, Albin Kurti është dashur që t’i ftojë grupet e punës së Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe të Transportit Rrugor, para se të thotë se nuk ka qenë i informuar.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj ka shpjeguar procedurën që ai ka ndjekur kur ishte akoma kryeministër, duke ia këshilluar edhe Kurtit, në mënyrë që mos ta turpëronte vendin dhe institucionet, si dhe mos ta dëshpëronte SHBA-në.

Postimi i plotë:

“Kjo fotografi, është bërë më datë 30 Janar 2020. Të nderuar qytetarë si Kryeministër i vendit, dy javë më herët kam ftuar në takim grupet punuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe atë të Transportit Rrugor, respektivisht zyrtarët e Ministrisë Z. Xhemajli, dhe Z. Qupevaj, për t’u informuar rreth letrës së qëllimit për hekurudhat me Serbinë, e që është ndërmjetësuar nga Ambasadori Grenell. Kam kërkuar nga ata, që të jenë vigjilent dhe mos të negociojnë e as të diskutojnë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shkruan Haradinaj.

 “Këtë gjë, është dashur ta bëjë edhe Kryeministri Kurti, në mënyrë që mos ta turpërojë vendin dhe institucionet duke thënë se nuk ka qenë i informuar. Kjo deklaratë, dëshpron edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë indikacione se nuk jemi unik ndaj përkrahjes së tyre. RH”, ka shkruar Haradinaj.