Skandali me kopshtin në Prishtinë/ Zbulohen rreth 30 çerdhe private që operojnë pa licencë

Jo vetëm kopshti ku u keqtrajtua fëmija 16 muajsh është pa licencë, por në kryeqytet funksionojnë edhe 30 çerdhe të tjera të pa licencuara.

Pas rastit të bërë publik, Komuna e Prishtinës ka shprehur gatishmërinë që të mbikëqyr edhe çerdhet private.

Skandali i keqtrajtimit të fëmijës në kryeqytet, zbuloi faktin se kopshti në fjalë nuk kishte licencë për punë.

Sipas të dhënave, rreth 30 kopshte të pa licencuara janë hasur gjatë 2019 nga Inspektorët e Ministrisë së Arsimit.

“Nuk dihet numri i atyre që ushtrojnë veprimtari pa licencë pune nga MASHT për faktin se nuk janë nën mbikëqyrjen tonë. Të paktën për vitin 2019 rreth 30 institucione ushtrojnë veprimtari pa licencë, të konstatuara nga MASHT”, deklaroi Defrim Gashi, Inspektor në Ministrinë e Arsimit.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë tha se nuk kanë njohuri për kopshte private pa licencë edhe pse mbikëqyrja i takon MASHT-it.

“Ne faktikisht nuk kemi qasje në ato çerdhe  dhe nuk e kemi të drejtën e kontrollit apo monitorimit të punës së tyre. Ato marrin lejen për operim Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pastaj aplikojnë për kushte sanitare në Komunën e Prishtinës, ndërsa licensohen nga Ministria e Arsimit”, deklaroi Shpresa Shala, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Mirëpo  Komuna është e gatshme të pranojë mbikëqyrjen e gjitha çerdheve nëse autorizohet nga MASHT.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vlerëson se këtë situate e ka sjellë neglizhenca institucionale.

“Mbi të gjitha kjo dëshmon për një neglizhencë institucionale qoftë në mbyllje të institucioneve të palicensuara apo stërzgjatje të procesit të aplikimit për licencë. Të gjitha këto e kthejnë përgjegjësinë të Ministria e Arsimit”, deklaroi Rinor Qehaja.

Në anën tjetër ARBK tregoi procedurat e regjistrimit të një çerdheje.

“Procedurat për regjistrimin e një çerdhe në ARBK janë procedura administrative të njëjta sikurse për çdo biznes tjetër.  Pastaj për procedurat tjera vazhdon në institucione të tjera siç është ‘Leja e Punës’, marrja e Licencës etj ”