Ligji i kaluar dje në Parlament/ Caka: Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ekzekutuesi i Vetting-ut të partisë

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ekzekutuesi i Vetting-ut të partisë. 

Kështu shprehet në një reagim të sajin ish-deputetja e LSI, Silva Caka.

Sipas saj, ligji i kaluar dje në Parlament, i konsultuar nga ekspertë që shkepen në dreka dhe darka me deputetë të Rilindjes apo nënkryetarë Parlamenti, thjesht konfirmon se gjithçka kalon më parë nga Rilindja.

Reagimi i plotë i Silva Cakës:

"Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ekzekutuesi i Vetting-ut të partisë!

Akrobacitë e Rilindjes për të kapur ç'të mundet nuk paskan fund!

Ligji i kaluar dje në Parlament, i konsultuar nga ekspertë që shkepen në dreka dhe darka me deputetë të Rilindjes apo nënkryetarë Parlamenti, thjesht konfirmon se gjithçka kalon më parë nga Rilindja.

Edi Rama nuk pret dot: frika se mos ndonjë gjyqtar apo prokuror i kundërshton paligjshmërinë e veprimeve të OFL-së së tij të famshme për hiçgjë, apo se mos ndonjë i riburgos kriminelët që ka lëshuar nga zinxhirët, apo akoma më keq ndonjë prokuror i çon ndonjë nga zyrtarët e tij përpara akuzave penale, e tmerron dhe e bën të mos presë vendimet e institucioneve të Vetting-ut.

Për këtë arsye ka vendosur që Vetting-un e prokurorëve dhe gjyqtarëve t'a bëjë vetë, me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që e zgjodhi po vetë!

Kishte Vetting institucional, po ka edhe Vetting partie!"

Ligji i miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë për goditjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK (kap çfarë të kapësh), para se të kalojnë në filtrat e Vetingut, është i ndryshëm nga varianti i propozuar nga deputetët socialistë Alket Hyseni, Abnor Shameti dhe Edmond Leka.

Varianti i miratuar nga Kuvendi i jep të drejtën Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të hetojë magjistratët ‘KÇK’ për ligjshmërinë e pasurive dhe lidhjet e mundshme me krimin, në kuadër të hetimit disiplinor për vendime skandaloze apo shkelje të tjera gjatë detyrë.

Inspektori i Drejtësisë, në rastin konkret Artur Metani, brenda një jave nga vendimi për fillimin e hetimit ndaj një gjyqtari apo prokurori, ka të drejtë të kërkojë informacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, prokuroria, Policia e Shtetit, nga tatimet, doganat, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative etj., për verifikimin e pasurisë dhe të figurës të magjistratit. /SYRI.net