Liberalizimi i vizave/ Osmani siguron ambasadoren: Francës do i largojmë çdo dyshim

Pas takimit me ambasadoren franceze, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të ndërmarrin çdo veprim me të cilin do t’ia dëshmojnë botës se qytetarët tanë e meritojnë liberalizimin e vizave.

Sipas Osmanit, prioritet mbi prioritetet është lufta kundër korrupsionit në institucionet e reja të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani njoftoi qëndrimin e saj gjatë takimit me ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

“Jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime konkrete për ta fituar përkrahjen e Francës për procesin e liberalizimit të vizave”, tha Osmani. “Prandaj, ne do t’i intensifikojmë kontaktet dhe vizitat e ndërsjella me përfaqësuesit e institucioneve të Francës për t’ua paraqitur atyre një pasqyrë reale të veprimeve që institucionet tona po i ndërmarrin për ta përshpejtuar këtë proces”.

Gjithashtu Osmani shtoi se ka kohë që Komisioni Europian e ka konfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Gjatë takimit me ambasadoren Butel, Osmani bisedoi edhe për shumë çështje të bashkëpunimit dypalësh.

Funksionimi i mirë i Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë në Parlamentin dhe në Senatin e Francës është thelbësore si dhe u pajtuan që një grup miqësie i tillë të krijohet edhe në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e bisedimeve mes Osmanit dhe Butel ka qënë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, në të cilën Kosova është anëtare vëzhguese.

Kosova synon që ta ndryshojë statusin dhe që së shpejti Kuvendi të bëhet anëtar i kësaj organizate me të drejta të plota, ka theksuar Osmani.

Duke shprehur kënaqësinë për zgjedhjen e Osmanit në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, të parës grua në krye të institucionit më të lartë përfaqësues në vend, ambasadorja e Francës shprehu e ritheksoi përkushtimin e vendit të saj për ta përkrahur Kosovën në të gjitha proceset politike.?