Guardiola: Mund të më shkarkojnë, nëse nuk kualifikohemi me Realin në Champions

Pep Guardiola e pranon se mund të largohet nga drejtimi i Manchester Cityt, madje edhe që në këtë sezon.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, tekniku spanjoll është shprehur se nëse nuk eliminon Real Madridin në Ligën e Kampionëve, atëherë rrezikon shkarkimin nga stoli i Cityt.

“Fitimi i Ligës së Kampionëve është shumë i vështirë. Ne kemi lojtarë të shkëlqyer në skuadër. Unë pranoj të gjitha komplimentet këtu, por pranoj edhe kritikat. Dua të fitoj Championsin. Do ta shijoj në maksimum ndeshjen me Realin. Përgatitja dy javë para kësaj sfide, do të jetë një nga momentet më të bukura të profesionit tim. Imagjinoni se çfarë mund të bëja vetëm që të kualifikohem ndaj tyre.

Nëse ne nuk i mposhtim ata, drejtuesit do të vijnë te mua dhe do të më thonë: ‘Nuk është e mjaftueshme, ne duam Ligën e Kampionëve dhe do t’iu shkarkojmë’. Dhe unë do iu them: ‘Mirë, faleminderit. Ishte një kënaqësi!’”, u shpreh Guardiola.