Ish-mesfushori: Do më pëlqente që Coutinho të kthehet te Liverpooli

Liverpooli po studion mundësinë për të kthyer në “Anfield Road” Philippe Coutinhon, të cilin e kërkoi edhe verën e kaluar, por braziliani preferoi të huazohej te Bayerni i Mynihut.

“The Reds” e shitën Coutinhon te Barcelona për 145 milionë stërlina në janar 2018, por 27-vjeçari nuk ia doli të bindte në “Camp Nou”.

Para se Coutinho t’i bashkohej Bayernit, Klopp kishte biseduar me drejtorin sportiv të klubit, Michael Edvard, për një përpjekje për të vulosur kthimin e Coutinhos te Liverpooli.

Për huazimin e lojtarit te kampionët e Bundesligës, Barcelona përfitoi 19 milionë stërlina e sigurisht përveç kësaj shume Bayerni do të paguante edhe pagën e lojtarit, që me gjithë bonuse arrinte 11 milionë stërlina në sezon.

Mesfushori me tipare sulmuese ka shënuar shtatë gola dhe ka siguruar tetë asistime në 27 ndeshje për Bayernin në këtë sezon.

Që prej largimit të Coutinhos nga “Anfield”, Liverpooli ia doli të fitonte Championsin dhe këtë sezon praktikisht ka fituar edhe Premier League-n.

Ekipi i drejtuar nga Klopp aktualisht ka 22 pikë epërsi nga ndjekësi më i afërt, kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje për t’u luajtur.

Ish-anësori i Liverpoolit, Steve McManaman, ka sugjeruar që një lojtar si Coutinho mund të bëjë shumë mirë në radhët e “The Reds”.

“Ka zëra që Xherdan Shaqiri mund të largohet në fund të sezonit dhe Adam Lallana mund të kërkojë të luajë më shpesh. Nëse ka hapësirë ??të disponueshme, sigurisht që do të më pëlqente që Coutinho të kthehej, pasi ai ishte një lojtar i mrekullueshëm për Liverpoolin. Ai është ai lloj lojtari që, kur plani A nuk po funksionon, ai mund ta ndryshojë lojën”, tha McManaman.