‘Antishpifja’/ Vokshi: Rama të grisë paketën, nuk duhet të përmirësohet

Një delegacion i opozitës, me përfaqësues ish-deputeten Albana Vokshi, ish-ministrin Genc Pollo dhe ish-deputetin Edmond Haxhinasto janë takuar me delegacionin e Venecias për çështjen e paketës “anti-shpifje”.

Në përfundim të takimit ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi për mediat u shpreh se ka besim tek opinioni i Komisionit të Venecias dhe i bëri thirrje qeverisë që ta zbatojë atë menjëherë pasi të jetë publikuar.

Ish-deputetja Vokshi theksoi se paketa “anti-shpifje” nuk duhet përmirësohet, por duhet të anulohet dhe griset.

“Përfunduam një takim frytdhënës me Komisionin e Venecias, të cilët janë në Shqipëri për paketën e ashtuquajtur anti-shpifje. E them frytdhënës sepse ne besojmë që Komisioni i Venecias do dali në një konkluzion objektiv pas takimeve që kanë pasur gjatë gjithë ditës së sotme.

Ne ishim në këtë takim si pjesë e opozitës reale ku shfaqëm qëndrimin tonë kundër paketës anti-shpifje ku të dy ligjet qoftë për AMA-në dhe AKEP janë të hartuara në mënyrë jo transparente me qëllim për të kontrolluar median online, kritike të qeverisë dhe kryeministrit.

Atë çfarë nuk mund ta blejë dhe nuk mund ta zotërojë Edi Rama po kërkon që ta kontrollojë me anë të këtyre dy mediave.

Qëndrimi i PD dhe opozitës është që këto dy ligje duhet të anulohen, nuk duhet të përmirësohen dhe duhet të grisen sepse janë anti-kushtetuese, anti-demokratike dhe anti-europiane.

Ne besojmë që opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë objektiv ndaj dhe i bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministri të të zbatojë opinionin e këtij komisioni kur ta nxjerrë për paketën anti-shpifje”, tha Vokshi.