Klauzola e Klopp/ Mund të largohet nga Liverpooli vetëm për të drejtuar në Bundesligë

Jurgen Klopp është një nga trajnerët më të suksesshëm të Liverpoolit, teksa gjermani i ktheu të kuqtë kampionë të Europës, ndërsa në këtë sezon duken të sigurt drejt titullit kampion që mungon prej shumë viteve në “Anfield”.

Ndaj, edhe drejtuesit anglezë bënë të pamundurën të bindnin 52-vjeçarin që të vazhdonte projektin e tij me klubin.

Kështu, Klopp ka firmosur një kontratë e cila do e mbajë të lidhur me Liverpoolin deri në vitin 2024 dhe nëse respektohet deri në fund do ta shndërronte në trajnerin më jetëgjatë të klubit.

Megjithatë, rruga ka të papritura dhe Klopp ka përfituar një klauzolë në kontratë, e cila mund ta lejojë të largohet pa pasur pasoja të rënda financiare.

Por, kjo klauzolë e veçantë vlen vetëm për Bundesligën.

Pra, në rast se Kloppit i lind dëshira për të mbyllur kontratën para verës së vitit 2024, atëherë mund të zgjedhë si destinacion vetëm kampionatin gjerman, pasi nëse preferon të largohet drejt një kampionati tjetër europian, atëherë do i duhej të përballej me sanksionet ekonomike.