Kurti valëvit 'Makro - Shengenin shqiptar', irritohet Rama: Nuk ka të tillë pa 'Mini - Shengen'

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës janë përplasur në distancë të afërt sot lidhur me marrëveshjen e Shengenit ballkanik. Ata ishin në krah të njeri-tjetrit në Tiranë, në një konferencë të përbashkët shtypi, në të cilën Albin Kurti i kushtoi rëndësi “Makro-Shengenit shqiptar” dhe e anashkaloi nismën e Ramës, ndërsa ky i fundit, i irrituar, nga ana e tij ia ktheu aty për aty: “Nuk ka “Makro - Shengen shqiptar” pa “Mini-Shengen ballkanik”!

I pyetur nga gazetarët nëse do të marrë pjesë Kosova në nismën e Shengenit ballkanik dhe a e ka diskutuar këtë çështje sot me Ramën, Kurti tha:

“Ky është takimi ynë i parë. Ka dhe shumë tema që do t’i trajtojmë në të ardhmen dhe mund të them që kjo ishte një temë që e trajtuam, po shkurtimisht. Takimi ynë sot ishte,  le të themi,  më parë për “Makro-Shengenin shqiptar” sesa për “Mini – Shengenin ballkanik.”

Por, Rama ia ktheu aty për aty, prerë:

“Është e vërtetë që në këtë pikë ne kemi një diskutim për të çuar përpara. Besoj se s’ka “Makro - Shengen Shqiptar” pa “Mini-Shengen ballkanik”. Megjithëse kjo fjala “mini”, e përsëris, nuk e di kush ia vuri - unë edhe për shkak të gjatësisë nuk jam i prirur të bëj gjëra “mini” -  por besoj se “Makro-Shengeni shqiptar” është i lidhur ngushtësisht me “Shengenin rajonal” sepse, nëse ne jemi konsistent në vazhdën e Procesit të Berlinit.

Dhe, nëse jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, ç’ka e kemi diskutuar dhe do të bëjmë çmos që të jemi, atëherë na hapet rruga, që është e mbyllur prej të gjitha viteve, numërojini si të doni, për të pasur një hapësirë të përbashkët midis dy shteteve:

Për të pasur një lëvizje të lirë midis nesh; për të pasur një lëvizje të lirë jo vetëm të mallrave dhe kapitaleve, por edhe të njerëzve, ç’ka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë por edhe të vendeve të tjera.

Sot, është vetëm në dorën tonë, sepse dua ta them me plot gojën që këtë rezistencë unë e kam thyer!

Sot na takon ne të bëjmë më të mirën dhe të mos humbasim kohë e ta çojmë përpara tërë proces, sepse askush, as Serbia dhe as vendet e tjera nuk na thonë dot që po bëjmë Shqipërinë e Madhe nëse heqim kufirin.

Për këtë arsye e kam diskutuar me Kryeministrin që të fillojmë menjëherë nga puna me të gjitha agjencitë, që sigurojnë aspektet e sigurisë sipas modelit të Shengenit dhe po ashtu me të gjitha agjencitë e tjera që duhet të çlirojnë tregtinë nga barrierat e panumërta që janë ende midis nesh,” nënvizoi Kryeministri Rama./”/ar.sh/SYRI.NET

Rama këmbëngul në Shengenin ballkanik, Kurti: Të zbatojmë dhe të shtojmë marrëveshjet Shqipëri - Kosovë

Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri Albin Kurti i Kosovës kanë dhënë një konferencë shtypi të përbashkët sot nga Tirana.

Rama tha se kanë rënë dakord për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive në Shkodër, pas asaj të fundit që ishte mbajtur në Pejë.

“Në këtë mbledhje do të vendoset për një komision ndërshtetëror për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, identifikuar problematikat dhe adresuar dy qeverive, në funksion qoftë të arritjeve, qoftë të nevojave për vendimmarrje të tjera.

Kemi diskutuar edhe procesin e Berlinit dhe do të vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të BE në rajonin tonë, ku për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteve.

Ia kam thënë dhe Kryeministrit, për mua, nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj të kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tona ndaj njerëzve dhe të ardhmes.

Është detyra jonë të jemi të gatshëm, të angazhuar për të hequr kufirin midis dy shteteve dhe për ta bërë hapësirën e përveçme të secilit, shtet një  hapësirë të përbashkët ndërveprimi, zhvillimi.

Ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe afirmimit si shtet sovran dhe demokratik në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet.”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij tha se “unë dua të kemi një bashkëpunim të ri siç nuk ka pasur asnjëherë ndërmjet vendeve tona. Pra Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njera tjetrës dhe jo çështje që presin në asnjë fushë.

Ne ramë dakord për komisionin ndërshtetëror që ato 77 marrëveshje që janë bërë deri tani të shtohen me marrëveshje të reja përveçse të zbatohen.

Me këtë rast dua ta falenderoj Shqipërinë dhe popullin shqiptar për ndihmën e pakursyer për Kosovën.

Kosova nuk do t’ia dilte me sukses përballë Serbisë pa Shqipërinë, as në luftë dhe as në paqe. Në veçanti duam të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë dhe të politikës së jashtme. Besoj se këto janë fusha që i kemi preokupimet e njëjta dhe partnerët tanë aleatë perëndimorë, që janë po të njëjtët”.