BERZH financon me 50 mln euro, rrugën e bregdetit Shëngjin - Velipojë dhe 2 akse të tjera

Një kredi prej 50 milionë dollarësh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pritet të sjellë ndërtimin për herë të parë të një rruge përgjatë Malit të Rencit në bregun e Shëngjinit, të asfaltojë një rrugë në malësinë e mes Elbasanit dhe Dibrës si dhe të përmirësojë rrugën Vlorë-Orikum.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Ministria e Financave ranë dakord për një kredi me vlerë 50 milionë euro që do të përdoret për ndërtimin apo përmirësimin e tre segmenteve rrugore me gjatësi të përgjithshme prej 70 kilometrash, bëri të ditur BERZh në një njoftim për shtyp, sipas BIRN.

Segmenti i parë që pritet të ndërtohet është 13 kilometra i gjatë dhe pritet të lidhë qytetin e Shëngjinit me vendin e quajtur Bregu i Rrjollit pranë Velipojës, me gjurmë përgjatë Malit të Rencit, një zonë bregdetare shkëmbore në Shqipërinë e veriut. Projekti pritet të ndihmojë zhvillimin e turizmit në zonë si dhe të shkurtojë distancën nga Tirana për në Velipojë në krahasim me rrugën aktuale që kalon nga Shkodra.

Segmenti i dytë i financuar nga kredia pritet të përmirësojë segmentin rrugor Vlorë-Orikum, me gjatësi 10.6 kilometra dhe përfshin krijimin e një korsie këmbësorësh dhe biçikletash mbi rrugën ekzistuese.

Këto dy segmente sëbashku pritet të kushtojnë 40 milionë dollarë.

Segmenti i tretë synon të lidhë fshatin Zgosht pranë Librazhdit me segmentin rrugor Tiranë-Dibër, duke përshkruar zonat malore të Shqipërisë lindore. Ky segment pritet të jetë 47 kilometra i gjatë. Ky është segmenti për të cilin BERZH ka angazhuar 10 milionë dollarë kredi.