OFL i dërgoi formularin/ Zbardhet emri i dytë, u kap me 400 mln euro kokainë

Operacioni Forca e Ligjit iu ka dërguar formularin për të deklaruar pasurinë dhe dy subjekteve të tjerë që preken nga Ligji Special ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda.

OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve A. K., banues në Durrës, i dënuar në Gjermani për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe B. P., banues në Koplik,  i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore. Ky i fundit është Bardhok Pllanaj, i njohur si ‘Sheiku’ i Shkodrës.

Kurse i pari është Albert Lame ose Albert Koschiek, sipas News24. I njohour si koka apo udhëheqësi i ‘Bandës së bananeve’, Lame së bashku me disa shqiptarë të tjerë transportonin kokainë nga Ekuadori, në kuti bananesh për të furnizuar qytetet gjermane.

Në vitin 2018 një ngarkesë 1.8 ton kokainë u kap në Gjermani, e cila vinte nga Ekuadori me vlerë tregu prej 400 milionë euro. Në këtë operacion u përfshinë 500 hetues dhe forca policore gjermane për të arritur në arrestimin e 13 shqiptarëve dhe tre të huajve.

Saktësisht u arrestuan Orneo Margjeka, Emiljan Hysenaj, Dashamir Ndoj, Dario Lame, Ervin Llusha, Izmir Lami, Dolan Kocani, Agim Zeka, Marjan Tola, Mevlan Beca, Granit Bajrami, Artan Mehmeti, Blerim Cakraj si dhe Alberto Kochsiek ose Alberto Lame, Anel Begovic dhe Kofi Oteng.