Balla: Meta të zgjohet! Nuk do ketë zgjedhje të parakohshme

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste e cila u zhvillua në ambientet e selisë rozë. Ndërkaq kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka theksuar sërish se zgjedhjet parlamentare të përgjithshme do të mbahen në qershor të vitit 2021 duke shuar dyshimet se mazhoranca do të pranojnë zgjedhje të parakohshme.

“Në Kongresin e partisë do të miratojmë një axhendë për aktivitetin politik. Biem dakord që në këto 29 vite kanë qenë momente të rëndësishme në jetën politike. Do të këtë një lloj ndryshimi, dhe ky proces përmbyllet me 30 qershor të vitit 2021, atëherë kur do të zhvillojmë zgjedhjet parlamentare. Unë do të bie rehat me këtë lloj pyetje për të paktën disa muaj".

Balla i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të “zgjohet” dhe të dekretojë datën e zgjedhjeve për bashkitë, që kanë mbetur pa kryebashkiakë, pasi i kapi Ligji i Dekriminalizimit. 

“Presidenti ka qenë dhe mbetet në moszbatim të detyrave kushtetuese që ka. Z. President është vënë në dijeni nga institucionet përkatëse vendore, siç është Prefekti i qarkut, në qarqet përkatëse, lidhur me vakancën e krijuar. Është Presidenti që duhet të zgjohet dhe respektojë Kushtetutën”, tha Balla.

Më tej, numri dy i PS foli dhe për situatën e krijuar në Bashkinë e Shkodrës, ku që pas zgjedhjeve të 30 qershorit vijon të mbetet pa kryebashkiak, pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, se ishte subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Balla tha se shumë shpejt Shkodra do të ketë drejtuesin e ri .