Vangjeli: E ndiej fanellën e Tiranës!

Tirana mori një fitore të rëndësishme ditën e djeshme ndaj Vllaznisë (1-0). Për kryeqytetasit kjo ishte fitorja e 7-të rresht në kampionat nën drejtimin e Emanuel Egbo. Nigeriani ka sjellë një frymë ndryshe në ekip, e cila vihet re dhe në paraqitjen e lojtarëve në fushë.

Një nga lojtarët, që Egbo ka arritur t’i marrë më të mirën është Kristi Vangjeli. Mbrojtësi nga krahët është spostuar në qendër, ku ka shumë mangësi dhe korçari ka arritur ta mbulojë mjaft mirë. Në një intervistë për Super Sport ai shprehet se ndihet shumë mirë në qendër dhe nuk duhet të gjykohet nga raste sporadike. Arbitrimin ndeshjen e djeshme e cilëson si më të mirin që kur ka ardhur në Shqipëri.

KOHA TE SKËNDERBEU
Fëmijët njohin më shumë Mesin se Ronaldon sepse e kanë marrë nga unë, që jam tifoz me Barcelonën. Ronaldon do e njohin më vonë kur të shohin çfarë ka bërë babai i tij kundër një lojtari të tillë. Gjithmonë në karrierë kam dashur të luaj, ku ka dashur zemra. Duke nisur nga Arisi e deri te Skënderbeu. Në Korçë kam ardhur vetëm për Europën, por pastaj zemra ime vendosi të qëndroja në atë klub. Vendosa me presidentin të qëndroj dhe ishte një projekt, që i besova. Më pas erdhi një moment ku kam sakrifikuar, duke qëndruar një vit për ekipin e zemrës.

ZGJEDHJA E TIRANËS
Erdhi koha të vendosja për karrierën time dhe të vendosja për të ardhmen sepse jam në një moshë kur po vijnë vitet e fundit dhe duhet të zgjidhja një ekip, ku të luaj për të mbyllur në mënyrën më të mirë karrierën dhe zemra ime zgjodhi Tiranën. Unë nuk doja të luaja në një klub tjetër, që nuk ka traditë dhe tifozeri. E ndiej fanellën e Tiranës dhe vij për të luftuar për trofe dhe e kam për detyrë të bëj maksimumin për këtë klub dhe të bëj maksimumin për tifozët dhe ekipin.

ROLI SI QENDËRMBROJTËS
Unë sakrifikoj gjithmonë në ekipet ku luaj dhe i realizoj në maksimum detyrat që më jepen. Po ta analizosh gjithë ndeshjen kam bërë shumë mirë dhe kam pasur superioritet ndaj kundërshtarit dhe nuk mendoj se duhet të veçojmë vetëm një rast. Që në momentin kur kam ardhur, kemi rënë dakord se në qoftë se do të kishte problem me lojtarët e qendrës së mbrojtjes ramë dakord se do të luaja edhe në atë pozicion. Është një pozicion, që e kam bërë më përpara dhe nuk e kam problem. Ka disa mbrojtës të djathtë dhe unë ndihem mirë më qendër të mbrojtjes. Edhe në Australi të gjitha ndeshjet i kam luajtur si qendërmbrojtës.

PENALLTIA E DYSHIMTË
Dje në ndeshje arbitri ka qenë super në të gjitha faullet dhe kartonët. Ka qenë një nga arbitrimet më të mira, që kam parë në Shqipëri. Lojtari i Vllaznisë do të bëjë një manovër tjetër dhe ka goditur topin, duke i ikur nga kontrolli. Zhunior nuk e ka topin në këmbët e tij në momentin kur Muça i ka ndërhyrë.

SKËNDERBEU SI KUNDËRSHTAR
Skënderbeut i uroj fat sot me Bylisin, por ndeshjen e ardhshme shpresoj të mos jenë në ritmin e duhur dhe të fitojë Tirana. Djemtë tregohen diplomatë, thonë se janë me Tiranën sepse babi po luan atje. Sot besoj se do të ndikojë fusha në Korçë, por nëse Skënderbeu bën lojën e tij do të bëjë mirë dhe do e fitojë këtë ndeshje.