Si vepron parlamenti i Rilindjes dhe Bundestagu gjerman, me deputetët që kapen `me presh në dorë`

Në 25 tetor të vitit 2017, edhe pse kreu i prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj këmbëngulte se grupi që hetonte Saimir Tahirin nuk kërkonte arrestimin, por vetëm heqjen e imunitetit të tij për tu hapur rrugë hetimeve të thelluara, shumica e Rilindjes nëpërmjet një shfaqje nën panik, votoi me 75 vota kundër kërkesës së organit të akuzës.

Pas këtij rasti, me urgjencë u përgatit edhe një ndryshim në rregulloren e parlamentit, i cili fuqizonte imunitetin e deputetëve dhe i jepte parlamentit atributet e prokurorisë dhe të gjykatës.

Mbrojtja e hapur që shumica i bëri në atë kohë Tahirit me forcën e kartonëve, u kritikua ashpër nga parlamenti dhe Berlini zyrtar.

Reporteri i grupit të CDU për Shqipërinë në Bundestagun gjerman, deputeti Thorsten Frei, në atë kohë në një intervistë për gazetën `Panorama` me tone të ashpra tregoi, se mbrojtja që Edi Rama i bënte Tahirit ishte një vijë e kuqe për Berlinin.

‘Po, unë e adresova çështjen ‘Tahiri’ përsëri. Sërish unë nuk mbeta i kënaqur me përgjigjen nga z.Rama. Kundër ish ministrit të Punëve të Brendshme, Tahiri, ekziston një dyshim i fortë korrupsioni në sajë të informacioneve nga Policia italiane.

Meqë shumica e Parlamentit shqiptar nuk kishte dëshirë të hiqte tërësisht imunitetin e Tahirit, hetimet e plota mbi këtë çështje janë parandaluar. Nga këndvështrimi im, bëhet e qartë se procedurat dhe ligjet ekzistuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kundër politikanëve dhe nëpunësve civilë të nivelit të lartë aplikohen me më pak përpikëri.

Por të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Këto çështje vendosin besueshmërinë e të gjitha përpjekjeve të Shqipërisë. Ky është gjithashtu një kriter thelbësor për ne kur flasim mbi kohën e duhur për të hapur negociatat e anëtarësimit’, deklaroi ai.

Ishte ky presion i jashtëzakonshëm i ndërkombëtarëve dhe veçanërisht i Gjermanisë, i cili bëri që vetëm pas dy javësh nga mbrojtja e paprecedentë Edi Rama ta quante Tahirin ‘dru i shtrembër’ dhe ta detyronte që të dorëzonte mandatin, edhe pse më pas ndoqi ‘Planin B’ duke shkatërruar hetimet dhe katandisur gjykimin e tij në një dënim qesharak.

Shembujt, se si Edi Rama dhe organizata e tij Rilindja mbrojnë deputetët kryebashkiakët dhe zyrtarët e tyre të inkriminuar e të korruptuar, janë të panumërt. Por për të parë se deri në çfarë pike ka mbërritur simbioza e krim-korrupsionin me të gjitha pushtetet në Shqipërinë 7 vjeçare të Edi Ramës, le të shohim paralelisht një shembull të fundit që vjen nga parlamenti gjerman.

Së fundmi deputetët e Bundestagut kanë votuar për heqjen e imunitetit për Alexander Gauland, bashkëkryetar i Grupit Parlamentar të Alternativës për Gjermaninë, partia kryesore e ekstremit të djathtë.

Kjo erdhi pasi prokurorët në Frankfurt po hetonin Gauland për evazion fiskal dhe kërkuan nga Bundestagu lejen për të vijuar me procedurën përkatëse dhe për të thelluar hetimin.

Pas kësaj policët dhe hetuesit fiskalë bënë kërkime në shtëpinë e Gauland në Potsdam dhe Frankfurt, kurse partia e tij, AFD, reagoi duke e cilësuar veprimin një procedurë normale administrative si pasojë e një gabimi të Gauland në pagesën e taksave.

Duket si e tepër që të bësh këtë paralele, por duhet për të kuptuar se çfarë përfaqëson Edi Rama në të vërtetë; Mes demokracisë dhe parlamentit gjerman, me atë çfarë ka instaluar Edi Rama në Shqipëri; Të krahasosh PS e Rilindjes, qoftë edhe me një parti ekstremiste si AFD në Gjermani; Të një deputeti gjerman që i hiqet imuniteti për evasion fiskal, me Saimir Tahirin të implikuar në trafik ndërkombëtar droge dhe kanabizimin e gjithë vendit...por edhe të një vargani deputetësh, kryetarësh bashkish, ish ministrash etj,etj!

Mjafton të kujtojmë se si mbrohet Damian Gjiknuri dhe Vangjush Dako me gjithë ushtria e deputetëve, ministrave e zyrtarëve të shtetit të kapur në rrjetën e përgjimeve të dosjeve `184` e `399` që evazioni fiskal i deputetit gjerman Gauland, të na duket si një `shkaka pa kripë`!