I dënuar me burgim të përjetshëm dhe punonte polic/ 'S'e dija që isha në kërkim'

Pas arrestimit dy ditëve më parë të shumëkërkuarit Bardhosh Lytaj, të dënuarit nga shteti grek me burgim të përjetëshëm për vrasjen e dy anglezëve në Patra, është zhvilluar sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Vlorës.

Kjo e fundit njohu dënimin me burgim i përjetshëm dhënë nga drejtësia greke dhe rivlerësoi masën “arrest me burg” te marrë një vit më parë.

Me urdhër të Prokurorisë, Lytaj ishte shpallur në kërkim në vendin tonë që në shtator të vitit 2019, pas të dhënave që dërgoi shteti grek.

Ndaj Bardhosh Lytaj rëndojnë disa akuza ku më e rënda është ajo e vrasjes të dy shtetsave anglezë në Patra të Greqisë në vitin 1998. Për atë ngjarje shteti grek e ka dënuar me burgim të përjetëshëm, por ai është arratisur nga burgu. Lytaj është dënuar dhe për vepra të tjera në Greqi si trafikimi i lëndëve narkotike apo dhe për disa vjedhje.

Teksa Greqia e kishte shpallur në kërkim është paradoksale që 47 vjeçari në Shqipëri prej rreth tre vjetësh punonte si polic privat.

Burime nga Gjykata e Vlorës thonë për Abc News se, Bardhosh Lytaj ka qënë nervoz dhe ka deklaruar se nuk e dintë që ishte në kërkim dhe burgun e kishte përfunduar.

Ai ka shtuar se pas kthimin në Shqipëri ishte martuar dhe kishte nisur një jetë të re. Lytaj për krimet që ka kryer në Greqi do të vuajë dënimin në vendin tonë pasi nuk kemi marrëveshje ekstardimi me shtetin helen.