FOTO/ Si ndryshuan vlerat e klubeve të Serie A pas merkatos së janarit

Me mbylljen e merkatos së dimrit është koha e bilanceve dhe “transfermarkt.it” ka përfituar për të rivlerësuar organikat e skuadrave të kampionatit italian, ndërsa në krye vijon të mbetet Juventusi.

Organika e bardhezinjve ka një vlerë prej 763 milionë eurosh, ndonëse gjatë janarit kjo shifër ka rënë me 7%, duke qenë se janë larguar dy lojtarë si Mandzukic e Emre Can, me këtë të fundit që ka një vlerë të lartë të kartonit.

Rritet ndjeshëm vlera e organikës së Napolit, me 9% më tepër sesa deri para merkatos, ndërsa në total kushton 688 milionë euro.

Demme, Lobotka e Politano janë futbollistët që rritën ndjeshëm vlerën e skuadrës së kaltër.

Rritje me 8% ka pësuar edhe vlera e organikës së Interit, që renditet e treta në Itali dhe kushton 683 milionë euro, ose vetëm 5 milionë euro më pak sesa ajo e Napolit.

Zikaltrit larguan Dimarcon dhe Politanon në janar, por afruan emra si Eriksen, Young dhe Moses, që ia rritën ndjeshëm vlerën.

Një rritje të lartë me plot 11% në merkaton e janarit ka pasur edhe organika e skuadrës së Fiorentinës, ndërsa rënie me 13% ka pësuar vlera e organikës së Milanit, e kushtëzuar nga shitja e Caldarës, Piatek, Borinit dhe Susos.