Rama sulmon gazetarët: Dembelë mendorë, e lidhnin krimin me mua

Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish gazetarët që kanë kritikuar nismën e tij AntiKÇK. Rama i quan dembelë mendorë, duke thënë se deri dje e lidhnin krimin me të dhe PS-në.

““A janë njerëz këta a ça janë?”, më shkruan një qytetar i tronditur nga komentet e studiove televizive kundër paketës antiKÇK! Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet tv sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë.

Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet tv për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS e me çdo fitore elektorale të PS.

Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor,” shkruan Rama.