Vrasje, përdhunime dhe vjedhje, dënohet 'shqiptari i tmerrshëm'

Një gjykatë në Francë vendosi të dënojë me tre vite burg dhe dhjetë vite ndalim për të hyrë në territorin francez një shqiptar të dënuar për vjedhje.

Sipas ‘L’est Republicain’, bëhet fjalë për 43-vjeçarin shqiptar, Genci Hamzaj. Ai akuzohet për të paktën 21 vjedhje.

Shqiptari i tmerrshëm u kap në fakt gjatë verës, kur u ndalua për një shkelje të trafikut. Ai la makinën bashkë me pasagjerin, por brenda në mjet u gjetën bizhuteri të vjedhura dhe shumë gjurmë gishtërinjsh.

Gazeta shkruan se 43-vjeçari shqiptar ka një të shkuar kriminale të larmishme. Në vitin 1999 është dënuar në Shqipëri për një vrasje.

Në vitin 2015 u dënua në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Në Itali rasti i tij bëri bujë pasi doli përpara gjykatës sepse akuzohej për përdhunimin e një prostitute.

Por avokati i Hamzajt tha se viktima nuk e kishte vënë re që ai nuk kishte tre gishtat e dorës, një detaj i rëndësishëm gjatë hetimit.

Përpara gjykatës në Francë, Hamzaj tha se kërkonte të bashkëpunonte me drejtësinë, por nuk shprehu pendesë për viktimat e tij (individë, dyqane, restorante). Prokuroria kërkoi pesë vite dënim për të dhe 3 për Lori Karricin, bashkëpunëtor për dhjetë vjedhje.

Kurse avokati tha se Hamzaj është azilkërkues dhe atyre nuk u lejohet të punojnë, ndaj kjo i nxit të bëjnë krime.

Në fund, gjykata e dënoi me tre vite burg. Bashkëpunëtori i tij u dënua me dy vite. /SYRI.net

https://www.estrepublicain.fr/faits-divers-justice/2020/02/04/trois-ans-de-prison-pour-le-cambrioleur-albanais