Kontrata e lobimit e Tahirit, kush ‘fshihet’ pas kompanisë ‘Stone Strategic Solutions’

Alan Blaine Stone themelues dhe ish-CEO i kompanisë amerikane të mbrojtjes Circinus Defense LLC, në të cilën ka qenë partner me mbledhësin e fondeve Elliott Broidy, ish-Zëvendës President i Komitetit të Inaugurimit të mandatit të Presidentit të SHBA Donald Trump dhe ish-zëvendëskryefinancier i Partisë Republikane, themeloi në vitin 2018 kompaninë e tij të konsulencës mbi sigurinë dhe inteligjencën Stone Strategic Solutions (SIII).

Në tetor 2018 Stone krijoi dhe një degë të saj në Bukuresht të Rumanisë. Gjithashtu Alan Blaine Stone e ka të rregjistruar rezidencën e tij në Bukuresht, por si vendbanim kryesor e ka të deklaruar në shtetin Virxhinia në SHBA.

Nga të dhënat e publikuara, rezulton se Stone Strategic Solutions (SIII) ka qenë e kontraktuar edhe nga ish-Kryetari i PSD të Rumanisë, njëkohësisht ish-Kryetar i Parlamentit Liviu Dragnea. Falë ndëmjetësimit apo “ftesës” së Elliot Broidy, ish-lideri socialdemokrat rumun u shfaq në Janar 2017 në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit Donal Trump si dhe në disa fotografi pranë Presidentit Trump në Hotelin Trump International në Uashington.

Por megjithë përpjekjet e Stone Strategic Solutions, Liviu Dragnea u dënua me vendim të formës së prerë me 3.5 vite burg më 27 Maj 2019 dhe më 5 Shtator 2019 Sekretari Amerikan i Shtetit Maikëll Pompeo e shpalli Liviu Dragnean dhe familjarët e tij të papranueshëm për të hyrë në SHBA, për shkak të përfshirjes në korrupsion të nivelit të lartë./Eunews.al