Vdekja e Andon Mëhillajt në burg, ja rezultatet paraprake të autopsisë

Dalin rezultatet paraprake të ekspertizës për vdekjen e 44-vjeçarit Andon Mëhillaj i dënuar me burg përjetë.

Mëhillaj u gjet i vdekur në burgun e Peqinit, ndërsa familja ngriti dyshimet për shkaqet e vdekjes duke akuzuar autoritetet e burgut.

‘Vdekje e menjëhershme për shkaqe ende të pasqaruara! Do pritet rezultati përfundimtar i autopsisë pas 29 ditësh’, thuhet në raportin paraprak.

Mëhillaj, i njohur ndryshe si kapoja i ‘Bandës së Tritolit’ në Vlorë, ishte dënuar me burg përjetë si anëtar i bandës së vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.

Në 2014 ai u vetëdorëzua në policinë e Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e kësaj bande famëkeqe, pas të cilës fshihen disa vrasje dhe jo vetëm.

Mëhillaj u akuzua se ishte sekseri që ndërmjetësonte ‘pazaret’ mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatatorit.

Po ashtu pjesë e bandës ishte dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i cili figuronte në faqen e Interpolit si person në kërkim për ‘Akte terroriste’ dhe ‘Financim të terrorizmit’.

Por Mëhillaj nuk i kishte pranuar asnjëherë akuzat dhe dje avokati i tij Edmond Dema tha se ishte një njeri normal, që çedoi për shkak të një problemi me pronat por jo kriminel dhe se nuk kishte prekur armë me dorë. /BW