Vrasja në Durrës/ Familjarët: Burri shëtiste lart e poshtë, vjen e vret gruan

Në fshatin Sopot të Bulqizës, i është dhënë lamtumira e fundit 33-vjeçares Manjola Cuku, e cila u masakrua tri ditë më parë nga bashkëshorti i saj, Lulëzim Cuku.

Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e çiftit Cuku, në fshatin Xhafzotaj të Durrësit. Ndërkohë, të afërm të familjes së viktimës, banorë të zonës dhe qytetarë të shumtë kanë ngushëlluar gjatë paradites së djeshme familjen Cuku.

Të prekur thellë nga ngjarja e rëndë, ata janë përpjekur t’i japin forcë familjes në momentet e vështira. Gjithsecili prej tyre shprehte revoltë për krimin e rëndë dhe kërkonte ndëshkimin maksimal për autorin. Nuset e dajave të Manjolës thanë se dhimbja është shumë e madhe, sidomos për babanë dhe nënën e vajzës së vrarë.

 “Nuk kemi fjalë për të përshkruar dhimbjen e madhe. Ne jemi nuset e dajave të Manjolës dhe ndiejmë dhimbje pa fund. Akoma më e madhe është dhimbja për dy prindërit e vajzës. Ata janë një familje shumë e mirë këtu në Sopot. Kanë jetuar në kushte të vështira. Kjo ngjarje nuk duhej të kishte ndodhur. Shteti duhet t’i ndëshkojë rëndë autorët e ngjarjeve të tilla”, tha njëra nga gratë e prononcuara për krimin brenda familjes.

Ndërkohë, një zonjë tjetër që merrte pjesë në ceremoninë mortore u shpreh se “burrat e sotëm duhet të jenë më të vendosur dhe ta mbajnë familjen afër. Nuk është punë kjo që burri livadhis brenda e jashtë vendit dhe pastaj vjen e akuzon gruan për tradhti. Nëse burri ka dyshime për gruan ta marrë me vete aty ku emigron, ta mbajë familjen e bashkuar. Ngjarje si kjo kanë tronditur jo vetëm Durrësin e Dibrën, por gjithë Shqipërinë”, pohoi një tjetër e afërme e familjes së Manjola Cukut.

/Marrë nga Panorama