Si u bë emri i Edi Ramës sinonim i krimit në vend

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të sulmojë gazetarët të martën, pasi e kanë kritikuar për nismën ‘Anti-KÇK’, duke thënë se Rama është vetë KÇK-ja në vend.

Kjo nuk është hera e parë që ai sulmon median, atë shqiptare dhe të huaj, pasi kanë denoncuar faktin se në Shqipërinë e Ramës, krimi dhe shteti janë bërë njësh.

Në fakt, termin ‘narkoshtet’ për Shqipërinë nuk e kanë përdorur të parët gazetarët e Shqipërisë. As ‘Kolumbia e Europës’ nuk jemi etiketuar për shkak të gazetarëve shqiptarë. Edhe denoncimet se Edi Rama ka mbushur partinë dhe qeverinë me njerëz të krimit nuk i kanë ardhur vetëm nga media shqiptare.

Por në shtatë vite në pushtet, emri i Edi Ramës është bërë sinonim i krimit dhe drogës.

Problemi është se njerëzit mendojnë se historia e ndërlidhjes së emrit të Ramës me krimin ka nisur kur ai u bë kryeministër. Për ata që e ndjekin politikën prej dekadash, e dinë se Partia Demokratike e ka denoncuar Edi Ramën që kur nisi punën e parë si ministër dhe më pas si kryebashkiak, për lidhje me emrat më të frikshëm të krimit në vend.

Kjo është një bashkëjetesë e gjatë, prej mbi dy dekadash. Prandaj sulmet mbi median janë thjesht në kuadër të zhurmës, njësoj si propaganda me maska policore e këtyre ditëve të shkurtra të dimrit.