Lazio në rrugën e duhur, Igli Tare nuk e përjashton titullin kampion

Igli Tare dhe Lazio po kalojnë një nga periudhat më të bukura në vitet e fundit teksa rezultatet pozitive kanë pasur një vazhdimësi të frikshme, aq sa bardhekaltrit janë kthyer në një ekip kërcënues për Juventusin dhe Interin në garën për titullin kampion.

Megjithatë, drejtori shqiptar vazhdon të theksojë se objektiv mbetet kualifikimi në Champions dhe se në këto rezultate pozitive ka ndikuar shumë edhe klima e mirë brenda grupit të futbollistëve.

“E jetojmë shumë të qetë javën, kemi vendosur si objektiv kualifikimin për në Champions. Nëse dikush ka këtë objektiv në fillim të sezonit, atëherë është e qartë se ka një skuadër të fortë.

Në këtë moment shumë komponentë po shkojnë në rrugën e duhur. Puna e jashtëzakonshme e Inzagit dhe stafit të tij, klima shumë e mirë e grupit në dhomat e zhveshjes.

Por, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse duhen edhe 17 ndeshje nga fundi i kampionatit dhe gjithçka mund të ndodhë. Për titullin është shpejt të flasim. Rezultatet na japin mundësinë për të luftuar, por situatat ndryshojnë shpejt. Pastaj, nëse katër apo pesë javë para fundit jemi ende në garë për titullin, do të ëndërrojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Tare.