Kuvendi i Kosovës/ Konjufca i dorëzon zyrtarisht detyrën Vjosa Osmanit

Glauk Konjufca, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, sonte i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën kryetares së re Vjosa Osmani, pas marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.

Me këtë rast, Konjufca dhe Osmani uruan njëri-tjetrit për pozitat e reja dhe vlerësuan lart punën e tyre të deri tanishme.

Nga marrëveshja mes VV e LDK, Konjufca do të jetë ministër i Jashtëm në Qeverinë Kurti, post për të cilin më herët ishte thënë se do ta merrte Blerim Reka.

Kryeparlamentarja e parë grua në Kosovë, Vjosa Osmani, u zgjodh në këtë post  me 65 vota ‘pro’, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ajo pas marrjes së detyrës tha se shpreson që secila grua e zgjedhur nga vota e qytetarit do të merret me problemet e vajzave dhe grave në Kosovë.