Skënderbeu pretendoi për penallti, Cungu i sinqertë: Të gjithë gabojmë... edhe gjyqtarët!

Trajneri i Laçit, Armando Cungu u shpreh i kënaqur pas fitores 1-0 ndaj Skënderbeut e vlefshme për Kategorinë Superiore.

Në një prononcim për emisionin “Gol pas Goli”, Cungu pranoi se pretendimi i korçareve për penallti dhe vendimi i arbitrit duhet diskutuar.

 “E kemi nisur mirë, vitin e ri. 2 fitore dhe 1 barazi. E kishim detyrë për të marrë 3 pikë dhe për të vazhduar në grupin e ekipit kryesues. Vuajtëm në 20 minutat e fundit. Pjesa e parë nuk ishte e qartë për ne. Kundërshtari priste gabimet tona për të na ndëshkuar. Kishte momente ku e humbnin durimin. Pjesa e dytë ishte më e mirë. Arritëm jo vetëm te goli, por edhe momente të tjera për të dyfishuar rezultatin. Dua t’i komplimentoj djemtë, sepse arritën të merrnin 3 pikë.

Kemi qenë të pafat në aspektin e kontingjentit, kemi pasur dëmtime dhe viroza. Na kanë munguar nga 3-4 lojtarë në çdo ndeshje. Për çdo ekip është shumë të  mungojnë 3-4 titullarë. E rëndësishme është të marrim pikët dhe të rikuperojmë lojtarët. Nuk mendoj se ka ngërç për Nuabuezen. E rëndësishme është që po kontribuon për ekipin. Jam i bindur se do ta gjej golin së shpejti.

Kundërshtari kishte ardhur për t’u mbrojtur me shumë forca. Na vuri në vështirë për të shkuar te gola. Bëmë edhe gabime për sa i përket manovrës sulmuese tonë. Kërkonin kundërsulmin me Gripshpin që ka teknikë të admirueshme. Objektiv ishin 3 pikë dhe ia dolëm.

Pretendimi për penallti i Skënderbeut, duhet diskutuar. Nuk është e qartë. Të gjithë gabojnë. Gabojnë edhe gjyqtarët. E rëndësishme është të pasqyrohen të gjitha.

Largimi i Domgjonit është një kërkesë e lojtarit. Klubi e pa të arsyeshme për të mos e penguar. Edhe klubi ka një farë përfitimi. I urojmë shumë suksese. Lojtari i ri ka ardhur 1 ditë para se të mbyllej merkatoja. Nuk e dimë për gjendjen e tij. CV e kam të pasur, por shpesh CV nuk tregojnë realitetin. Ka shkëputje për sa i përket minutave. Do edhe pak kohë për të dalë në një konkluzion”, u shpreh Cungu.